Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se në 7 qendra të votimit në Tiranë dhe Durrës po qëndrojnë persona të paautorizuar.

Ai ka dhënë urdhër që të gjithë këta individë të largohen menjëherë nga qendrat e votimit, në të kundërtën kush refuzon, kryekomisioneri paralajmëroi se ndaj tyre do të merren masa.

“Ka prani në ambiente të personave të paautorizuar, ne e konsiderojmë si intimidim dhe presion ndaj është rasti që autoritetet ligjzbatuese nga Policia apo KZAZ dhe KQV ta adresojnë dhe të merren mesat përkatëse. Është e papranueshme që qytetarë që nuk ka lidhje, të rrinë në ambientet e brendshme, duhet të boshatisen menjëherë dhe kushdo që refuzon, do duhet të mbajë përgjegjësi”, ka thënë ai.
Ai shtoi se nuk ka asnjë informacion se cilat parti politike i përfaqësojnë këta persona të paautorizuar.
“Nuk e dimë se cilën parti përfaqësojnë ata”, shtoi kryekomisioneri, raporton A2CNN.
Në zbatim të këtij vendimi të marrë nga KQZ-ja, autoritetet kanë shkuar në qendrat e votimit ku dyshohet se po qëndrojnë këta persona të paautorizuar dhe po e bëjnë lirimin e hapësirave prej tyre.




















