Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka kujtuar heroin e luftës çlirimtare, Agron Rrahmanin, sot në 25-vjetorin e rënies së tij dëshmor, përcjell InLajmi.
Konjufca tha se Agron Rrahmani ka gjetur veten shpejt në rolin e një prej organizatorëve të demonstratave në Besjanë gjatë viteve 1989-1990.
Ai tha se Agroni zotëronte aftësinë e organizimit luftarak dhe përgatitjes ushtarake të vullnetarëve që më vonë do të ishin ushtarë të luftës çlirimtare.
Si popull dhe si institucione duhet t’i nderojmë dëshmorët tanë, jo për të kryer punë me ta, por në atë mënyrë që punët tona të jenë sa më pranë frymës së tyre, tha Konjufca.
Lavdi Agron Rrahmanit dhe gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për liri, përfundoi kryetari i Kuvendit.
Postimi i plotë i tij:
Sot, në 25-vjetorin e rënies së tij dëshmor, përkujtojmë dhe nderojmë heroin e luftës çlirimtare, Agron Rrahmanin!
I brumosur në frymën e historisë së rezistencës së popullit shqiptar, Agroni e gjeti veten shpejt në rolin e një prej organizatorëve të demonstratave në Besjanë gjatë viteve 1989-1990, gjë që u vërejt nga regjimi serb, e pas të cilave arrestohet dhe dënohet me 2 muaj burgim.
Agron Rrahmani admironte dhe ndiqte shembullin e atyre që e deshën atdheun e që për të ishin të gatshëm të japin gjithçka. Ai së bashku me Bahri Fazliun, themeluesin e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, nuk i ndanë rrugët deri në fund.
Në veçanti, Agroni zotëronte aftësitë e organizimit luftarak dhe përgatitjes ushtarake të vullnetarëve që më vonë do të ishin ushtarë të luftës çlirimtare. Në qendrën stërvitore në Tiranë, ku kontribuoi fuqishëm për ngritjen e saj dhe që më vonë do të mbante emrin e tij, do të stërviteshin disa qindra vullnetarë. Ai do të bëhej komandant i njësitit gueril “Rexhep Mala”, në Prishtinë, deri kur lavdishëm ra dëshmor në një përballje të armatosur me forcat serbe, më 12 maj të vitit 1998.
Si popull dhe si institucione duhet t’i nderojmë dëshmorët tanë, jo për të kryer punë me ta, por në atë mënyrë që punët tona të jenë sa më pranë frymës së tyre. Institucionet me frymën e dëshmorëve, besnikëria ndaj idealit të tyre, janë nderimi më i mirë që mund ta bëjmë për ta. Ata dhanë gjithçka, ndërsa ne duhet të marrim aspiratën e tyre për ta çuar përpara.
Lavdi Agron Rrahmanit dhe gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për liri!/InLajmi/