Astronomët kanë përdorur teleskopin hapësinor James Webb për të vëzhguar rripin e parë të asteroideve jashtë sistemit tonë diellor dhe zbuluan disa “surpriza kozmike” gjatë rrugës.
Observatori hapësinor u fokusua në pluhurin që rrethon Fomalhaut, një yll i ri dhe i ndritshëm që ndodhet 25 vite dritë nga Toka në konstelacionin Piscis Austrinus.
Disku me pluhur rreth Fomalhaut u zbulua fillimisht në vitin 1983 me ndihmën e satelitit astronomik me rreze infra të kuqe, të NASA-s.
Por studiuesit e Webb-it nuk prisnin të shihnin tre unaza pluhuri që shtriheshin 23 miliardë kilometra nga ylli, ose 150 herë më shumë se distanca e Tokës nga dielli.
Imazhet e reja të kapura nga teleskopi gjigant hapësinor, zbuluan për herë të parë dy rripat e brendshëm të Fomalhaut, të cilët nuk janë shfaqur në imazhet e mëparshme të marra nga Teleskopi Hapësinor Hubble ose observatorë të tjerë.
Imazhi i detajuar i rripave të pluhurit, i kapur në dritën infra të kuqe që është e padukshme për syrin e njeriut, tregoi se strukturat janë më komplekse se brezi kryesor i asteroidëve dhe brezi Kuiper në sistemin tonë diellor.
Zbulimi i 2 unazave të brendshme të Fomalhaut sugjeron se planetët e fshehur më thellë brenda sistemit të yjeve mund të ndikojnë në formën e rripit të pluhurit. Vetëm rripi i jashtëm i Fomalhaut është rreth dyfishi i shkallës së Brezit Kuiper.
Imazhi i ri dhe një studim që detajon gjetjet u botuan të hënën në revistën Nature Astronomy, shkruan A2CNN.
Kombinimi i pamjeve të reja të marra nga Webb-i së bashku me imazhet e marra më parë nga Hubble, Observatori Hapësinor Herschel i Agjencisë Hapësinore Evropiane dhe grupi i teleskopëve Atacama Large Milimeter/nënmilimetër mund t’u ofrojnë shkencëtarëve një panoramë më të detajuar se si formohen brezat e mbeturinave rreth yjeve.