Në muajin mars të këtij viti, rreth 4.000 të rinj të moshës 15 deri në 24-vjeç kanë kërkuar punë.
Prej tyre 1. 915 janë të gjinisë femërore, ndërsa 1.748 të gjinisë mashkullore.
Sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, kjo shifër është shumë më e lartë, pasi punëkërkuesit kanë humbur besimin në institucionet e Kosovës.
“Numri i papunësisë në Kosovë është shumë më i madh sesa paraqitet nga ASK-ja,papunësia është shumë më e madhe sesa ajo që paraqitet. Prandaj, edhe të rinjtë e Kosovës kanë humbur besimin në institucione dhe nuk kërkojnë punë përmes zyrës së punësimit dhe nuk regjistrohen që janë të papunë. Numri i të paregjistruarve është 3fishi i të regjistruarve. Nëse janë mbi 100.000 që kërkojnë punë, ne vlerësojmë që janë 250-300.000 punëtore të aftë për punë nga 15 deri në moshën 65 vjeçare dhe kjo është një fuqi punëtore e pa angazhuar askund”, tha ai
Shahini theksoi se më lëvizjen e lirë të qytetarëve në janar të 2024, mbi 150.000 të rinj mund ta lëshojnë vendin.
“Liberalizimi i vizave është rrezik potencial që në vitin 2024 të ikin mbi 150.000 punëtorë, të cilët dalin për të kërkuar një jetë dhe standard më të mirë. Në anën tjetër, Kosovës do t’i ulët edhe konsumi edhe rritja ekonomike”, tha ai.
Shahini theksoi se bizneset çdo ditë janë duke ofruar kushtet më të mira, por që kërkesat në treg kanë ndryshuar.
“Bizneset në Kosovë çdo ditë e më tepër janë duke i afruar kushtet më të mira punëtorëve dhe kjo është kërkesa jonë që çdo herë iu bëjmë bizneseve. Trajnimet dhe shkollat profesionale duhet që të angazhohen më tepër në krijimin e kuadrave të ri, pasi tashmë natyra e punës ka ndryshuar dhe çdo biznes kërkon punëtore sa më të kualifikuar, p.sh., sektori i IT-s. Po ashtu, universitete duhet që të ngritin cilësinë dhe të prodhojnë kuadra dhe jo të japin vetëm diploma, pra të dalin student të aftë nga ajo fusha”, theksoi ai.
Kryetari i AKB-së thotë që profesionet që janë duke u kërkuar më së shumti janë, ajo e fushës së informatikës, financave, si dhe menaxhimit, derisa shton se këto profile do të kërkohen gjithmonë dhe mundësitë për punësim do të ketë gjithmonë, shkruan TeVe1
Ndërsa, kryetari i Sindikatës së Punonjësve të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, ka thënë se Qeveria e Kosovës po i trajton punëtorët e sektorit privat si skllevër.