Ministri Elbert Krasniqi ka shkarkuar Ekipin Menaxhues për hartimin e draft-statutit të Asociacionit, i cili u prezantua dje në takimin Kurti-Vuçiq në Bruksel.
“Pas prezantimit të djeshëm në Bruksel të draft statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas përgjegjësive që i ishin dhënë Ekipit Menaxhues në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, ky ekip tash edhe vet është pa status. Andaj, sot me datë 03 maj 2023, kam marr vendim për lirimin nga detyra të anëtarëve të këtij ekipi menaxhues, në përbërje të Danijela Vujiçiç, Jelena Bolovic, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviç”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha pas takimit se ky draft është i realizuar mbi dëshirën e Serbisë për Republika Sërpska në Kosovë.
Lidhur me këtë, deputeti Fatmir Humolli, thotë se Komisioni është bërë nga qeveria serbe dhe pranimi i bisedimit me të për draft statutin e Asociacionit është gabim politik dhe teknik.
“Në rend të parë, komisioni nuk është emëruar nga qeveria. Komisioni është i bërë nga qeveria serbe. Pranimi i bisedimit me këtë ose për draftin e këtij komisioni është gabim politik, ashtu edhe gabim taktik”, shprehet ai.
Sipas Humollit, është gabim që të bisedohet me Serbinë për Kosovën dhe ndërtimin e brendshëm të saj dhe se kjo praktikë e ndërkombëtarëve ka shkaktuar luftërat në Ballkan në vitet e 90-ta, shkruan Gazeta Blic
“Bisedimi me Serbinë për Kosovën dhe ndërtimin e brendshëm të Kosovës është gabim. Kjo praktikë e gabuar e bashkësisë ndërkombëtare në raport me politikën hegjemoniste serbe në vitet e 90-ta ka shkaktuar luftërat në Ballkan dhe sjellja me naivitet e klasës politike shqiptare i ka ndihmuar të fuqizohet hegjemonia serbe”, deklaron deputeti Fatmir Humolli