I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se zbatimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve duhet të nisë me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“BE-ja dhe SHBA-ja janë të fokusuara që kjo marrëveshje [e arritur në Ohër] të bëhet realitet. Ky realitet bëhet me Asociacionin. Normalizimi është i përqendruar në të drejtat e pakicave, veçanërisht të serbëve. Është pritshmëria dhe kërkesa jonë që të ecim përpara me këtë”, tha Escobar gjatë një konference për media, të mbajtur online.
Ai shtoi se puna për themelimin e Asociacionit ka nisur por se “duhet të shtyjmë vazhdimisht përpara derisa të arrijmë një model”.

Escobar tha që pret të ketë një takim mes kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq brenda 2 javëve “për ta diskutuar këtë proces sërish”.
“Ky proces është i rëndësishëm dhe është shumë e rëndësishme që të 2 palët, veçanërisht Kosova, që ta marrin seriozisht këtë proces dhe të lëvizin në mënyrë të përshpejtuar për ta përfunduar atë”, shtoi ai.
I pyetur nëse Serbia e shkeli marrëveshjen kur votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Escobar tha se nuk është i sigurt për këtë gjë.
“Nuk jam i sigurt nëse ishte shkelje. Kjo varet nga Bashkimi Evropian, që është garantues i marrëveshjes. Procesi i implementimit nuk ishte vendosur në atë kohë kur u bë votimi, nuk e di nëse Serbia ishte e detyruar të mos e bllokonte [votonte kundër]”, tha Escobar.
Këto komente të Escobarit vijnë një ditë pas takimit në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bashkë me ndërmjetësuesit evropianë, Mirosllav Lajçak dhe Josep Borrell, shkruan REL
Gjatë këtij takimi, liderët e Kosovës dhe Serbisë shprehën qëndrime të kundërta për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por u pajtuan për Deklaratën e të Zhdukurve nga koha e luftës.




















