Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave ka kërkuar që të gjithë të reflektojmë mbi rëndësinë e lirisë së fjalës, lirisë së mendimit dhe të medias, përcjell InLajmi.
Haradinaj thekson se mbrojtja e gazetarëve dhe medias së lirë është ndër parimet e panegociueshme dhe obligim institucional e shoqëror për avansimin e këtij segmenti të lirisë sonë.
Për më tepër, ai thotë se në Kosovë vazhdojnë të mbesin shqetësuese sulmet ndaj gazetarëve dhe medias së lirë nga eksponentë të pushtetit.
Postimi i plotë i tij:
Sot në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, por edhe si çdo ditë tjetër reflektojmë mbi rëndësinë e lirisë së fjalës, lirisë së mendimit e të medias.
Mbrojtja e gazetarëve dhe medias së lirë është ndër parimet e panegociueshme dhe është obligim institucional e shoqëror ta ruajmë dhe avancojmë këtë segment të lirisë sonë!
Shqetësuese mbeten sulmet që i bëhen gazetarëve e mediave dhe tendenca nga disa eksponentë të pushtetit për kontroll ndaj tyre!
Jemi në krah të tyre, në mbrojtje e respekt të fjalës së lirë, si vlerë e panegociueshme e demokracisë. /InLajmi/