Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ua uroi 1 Majin të gjithë punëtorëve në Kosovë ndërsa shprehu mirënjohje për rolin dhe kontributin e tyre në shoqëri, përcjell Inlajmi.
Krasniqi theksoi se si shtet dhe shoqëri ende nuk kemi arritur që të sigurojmë trajtimin meritor për çdo punëtor, në cilindo sektor që punon.
Ai konsideron se sfida e madhe e migrimit masiv të të rinjëve duhet të tejkalohet përmes angazhimit konkret në krijimin e një ambienti të favorshëm që ofron mundësi të barabarta, vende pune me paga konkurruese dhe vlerësim të drejtë për kontributin e punëtorëve.
Postimi i plotë i tij:
Sot, më 1 Maj, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, shpreh mirënjohje për rolin dhe kontributin e secilit punëtor në shoqëri, duke u zotuar për krijimin e kushteve më të mira të punës, respektimin e plotë të të drejtave të tyre, paga dinjitoze dhe mundësi më të shumëta për të gjithë.
Si shtet e si shoqëri ende s’kemi arritur që të sigurojmë trajtimin meritor për çdo punëtor, në cilindo sektor që punon. Për më shumë, sfidën e madhe të emigrimit masiv të të rinjve tanë që kërkojnë një perspektivë larg Kosovës, duhet ta tejkalojmë përmes angazhimit konkret në krijimin e një ambienti të favorshëm që ofron mundësi të barabarta, vende pune me paga konkurruese dhe vlerësim të drejtë për kontributin e punëtorëve.
Urime 1 Majin të gjithë punëtorëve në Republikën e Kosovës! /InLajmi/