Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë vizitës zyrtare në Kroaci është takuar me kryetarin e Parlamentit të Republikës së Kroacisë, Gordan Jandrokoviq.
Në këtë takim, presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes 2 vendeve dhe rolin që kanë luajtur të 2 parlamentet në fuqizimin e këtyre marrëdhënieve. Në takim ishte e pranishme ndër të tjerë edhe përfaqësuesja e minoritetit shqiptar në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaskaj.
Për presidentin Begaj, vetë prania e Prljaskaj në Parlamentin e Kroacisë, është një tregues i marrëdhënieve të afërta mes 2 vendeve dhe garanci për forcimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, shkruan Top Channel.
Në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë, presidenti Begaj u shpreh se bashkëpunimi ndërparlamentar është i domosdoshëm. Vazhdimi i shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë mes parlamentarëve të të 2 vendeve është gjithashtu me rëndësi për të thelluar edhe më tej bashkëpunimin në fusha të ndryshme.