Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës, është shtyrë për një ditë tjetër për shkak të mungesës së kuorumit.
Fillimisht seanca ishte planifikuar të mbahet në ora 10:00 por në mungesë të deputetëve ajo u shty në orën 12:30.
Pas shtyrjes së parë, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se legjislatura aktuale nuk e meriton të vazhdojë, për shkak të sjelljeve të papërgjegjshme të deputetëve.
“Qysh po e shoh këtë sjellje të papërgjegjshme të disa deputetëve, nuk po mendoj se kjo legjislaturë e meriton me vazhdua…emrat ata që nuk kanë ardhur”, u shpreh Konjufca.
E ndaj kësaj situate të krijuar, partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë shprehur kritika ndaj mazhorancës.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se vendi udhëhiqet nga një mazhorancë shumë e papërgjegjshme që nuk arrin t’i ketë 61 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
“Ne kemi ende pika të papërfunduara të agjendës së viti 2022. Kjo mënyrë e papërgjegjshme e drejtimit të këtij Kuvendi nga kjo mazhorancë duhet ta ketë një fund. Nuk mund të vazhdoj më kështu”, ka thënë Tahiri duke shtuar se jemi në kaos parlamentar.
Kritika ka shprehur edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri. Tahiri e ka quajtur të papranueshme dështimin e seancave për shkak të kuorumit.
“Fatkeqësisht jeni dëshmitar edhe të një dështimi të seancës së Kuvendit. Ky dështim vjen si rrjedhojë e një qasje totalisht jo të përgjegjshme e jo serioze të mazhorancës. Na e shtyn seancën e parë për në ora 12:30 edhe kjo seancë dështoi për shkak se u mungojnë numrat”, tha Tahiri, shkruan Telegrafi.
Ai pohon se kjo qasje është e papranueshme dhe është abuzim me besimin qytetar.