Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka kujtuar heroin Sali Çekaj, për të cilin tha se ishte luftëtar e atdhetar shumëdimensional, përcjell InLajmi.
Haradinaj gjithashtu kujtoi të rënët në Rugovë e Podgur.
Ai theksoi se misioni historik për liri dhe pavarësi u realizua falë veprës heroike të luftëtarëve çlirimtarë dhe sakrificës së martirëve.
Haradinaj tha luftarët dhe dëshmorët do të jenë gjithmonë frymëzim dhe udhërrëfyes në ndërtimin e të sotmes dhe të ardhmes sonë.
Postimi i plotë i tij:
Nderojmë veprën e heroit të luftës së lavdishme çlirimtare, Sali Çekaj, në ditën e rënies së tij dhe tërë sakrificën për liri të Brigadës 138 “Agim Ramadani”.
Sali Çekaj, luftëtar e atdhetar shumëdimensional, ra heroikisht 24 vjet më parë së bashku me bashkëluftëtarët e tij; Shefqetin, Mejdiun, Luanin, Ilirin, Hysniun, Izetin, Bejtën, Azizin, Afrimin, Fatosin, Fisnikun e Leonardin. Ata ranë për të mbetur gjallë në kujtesën e popullit dhe shtetit të Kosovës!
Po ashtu, sot kujtojmë të rënët e pranverës së përgjakur në Rugovë e Podgur, të prirë nga Komandanti Selman Lajçi.
Kujtojmë sakrificën e Batalionit “Atlantiku” – Yllin, Agronin dhe Mehmetin. Ata janë tregimi më i mirë për luftëtarin shqiptar ndër breza.
Misioni ynë historik për liri dhe pavarësi u realizua falë veprës heroike të luftëtarëve çlirimtarë dhe sakrificës së martirëve, të cilët gjithmonë do të jenë frymëzim dhe udhërrëfyes në ndërtimin e të sotmes dhe të ardhmes sonë!
I përjetshëm qoftë kujtimi për ta! /InLajmi/