Të paktën 97 persona janë vrarë dhe qindra janë plagosur si pasojë e shpërthimit të konfliktit mes ushtrisë së vendit dhe forcave paraushtarake në Sudan, transmeton InLajmi.
Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se disa spitaleve po u mbaronin furnizimet për të trajtuar të plagosurit.
Luftimet shpërthyen të shtunën midis njësive të ushtrisë së gjeneralit Abdel Fattah al-Burhan, kreut të Këshillit Sovran qeverisës të Sudanit dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF), të udhëhequra nga gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur si Hemedti, i cili është nënkryetar i këshillit.
Dhuna u ndez si pasojë e një mosmarrëveshjeje mbi integrimin e RSF-së në ushtri si pjesë e një tranzicioni drejt sundimit civil për t’i dhënë fund krizës politiko-ekonomike të shkaktuar nga një grusht shteti ushtarak në vitin 2021, shkruan The Guardian.
Në një deklaratë herët të hënën, sindikata e mjekëve tha se të paktën 97 civilë janë vrarë dhe 365 të tjerë janë plagosur që nga shpërthimi i luftimeve. /InLajmi/