Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë dhe Bashkimin Evropian, kanë organizuar tryezë me temën “Nga politika në praktikë: Transformimi i Arsimit përmes Mësimit Digjital”, pjesëmarrës i së cilës ishte edhe kryeministri Albin Kurti, raporton InLajmi.
Kryeministri Kurti bëri të ditur se janë ndarë 18 milionë euro për blerjen e pajisjeve digjitale në shkolla të Kosovës ndërsa përgjithësisht për digjitalizim janë ndarë 52 milionë euro.
Sipas tij, materialet mësimore digjitale do të ofrojnë mundësi të pakufizuar për nxënësit.
“Për herë të parë digjitalizimi në arsim konsiderohet si një nga 5 shtyllat e kësaj strategjie. Kësaj shtylle i janë dedikuar 52 milionë euro, që është 16% e buxhetit të përgjithshëm të strategjisë. Platforma digjitale që do t’i integrojë do të rezultojë në cilësinë e shërbimeve arsimore. Aspekti i dytë është materialet shkollore. Materialet mësimore digjitale ofrojnë mundësi të pa kufizuar”, tha Kurti.
Kurti theksoi se strategjinë e digjitalizimit do të kenë mundësi ta gëzojnë të gjitha kategoritë në vend.
“Strategjia synon që këtë mundësi ta gëzojnë të gjitha kategoritë në vend. Do të jenë edhe në gjuhën e komuniteteve si dhe për fëmijët me nevoja të veçanta. Ne kemi dedikuar një buxhet prej 18 milionë eurosh për blerjen e pajisjeve digjitale në shkolla”. /InLajmi/