Këtë të martë ka filluar procesi i paraqitjes së provave nga Zyra e Prokurorisë Speciale dhe fjalën e mori dëshmitarja e parë, e cila dëshmoi në masa mbrojtëse të sigurisë, identiteti i të cilës nuk u bë i ditur për publikun. Për më tepër, gjykimi kaloi në seancë private, duke mos lënë kështu shumë për të komentuar e parë dëshmitë e dhëna nga kjo dëshmitare, fjala e vetme e së cilës ishte “Po, jam intervistuar 2 herë në Prishtinë”, shkruan InLajmi.
“Fshehja” e dëshmitares dhe kalimi në seancë private apo të mbyllur me redaktime nga Gjykata Speciale, si duket nuk u prit mjaft mirë nga pjesëtarë të organizatave të dala nga lufta, si dhe shumë qytetarë, të cilët kritikuan këtë gjykatë për mostransparencë. Mirëpo, kjo nuk është hera e parë që Gjykata Speciale në Hagë kritikohet për mostransparencë, pasi edhe në gjykimin e Sali Mustafës, dëshmitarët dëshmuan në seanca të mbyllura, por kjo edhe atëherë ashtu si sot, te qytetarët dhe shumë ish-pjesëtarë të UÇK-së ngjalli dyshime për “besueshmerinë” e këtyre deklaratave, të cilët jo rrallëherë i quajtën këta dëshmitarë si “të stisur” ndërsa gjykatën krejtësisht politike.
Se a mund të cilësohet “jotransparencë” kjo formë e gjykimit dhe se a kanë të drejtë palët të ankohen, avokati Tomë Gashi në një deklaratë për InLajmin, thekson se secila gjykatë i ka rregullat e veta ashtu siç është edhe mbajtja e seancave private ndërsa shpjegon se kjo mënyrë e gjykimit ndodh në rastet kur çështjet kanë të bëjnë me ndjeshmëri të lartë.
“Gjykata Speciale i ka rregullat e veta siç është mbajtja e seancave te mbyllura, kur këtë e kërkon prokurori, avokati, apo vetë gjykata vendos zyrtarisht”, tha Gashi.
Tutje, avokati Gashi shtoi se secila gjykatë e ka për obligim të mbrojë dëshmitarin anonim dhe ta fshehë identitetin e tij qoftë edhe me seanca private.
“Kjo ndodh edhe në gjykatat tona, kur kemi të bëjmë me çështje të ndjeshmërisë së lart dhe sigurisht që gjykata e ka për obligim të mbrojë dëshmitarin anonim apo të mbrojtur”, tha avokati Gashi për InLajmin.
Avokati Gashi nuk përjashtoi mundësinë e përceptimit të kësaj forme të gjykimit nga qytetarët si “jo e drejtë”, por nga ana juridike theksoi se palët nuk kanë të drejtë të ankohen, përveç se të bëjnë ankesë kundër aktgjykimit.
“Kjo formë e marrjes së dëshmisë mund të konsiderohet si jo e drejtë, por në këtë rast palët nuk kanë të drejtë të ankohen, përveç me ankesë kundër aktgjykimit. Për shkak të këtyre rregullave besoj se shumica e dëshmitarëve do të dëshmojnë në këtë mënyrë”, tha avokati.
I pyetur se si e sheh deri tani gjykimin në Hagë, Gashi u shpreh më “i rezervuar”, duke thënë se është vetëm fillimi se duhet pritur vite për të parë indiciet e para rreth epilogut të këtij rasti.
“Është vetëm fillimi. Duhet të presim shumë vite për të parë indiciet e para rreth epilogut të këtij rasti”, tha Gashi.
Ndryshe, më 3 prill ka filluar gjykimi ndaj 4 ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Të 4-ish krerët e UÇK-së po akuzohen për krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit ndërsa 312 dëshmitarë pritet të dëshmojnë në këtë proces, e që sipas Prokurorisë, krimet e pretenduara janë kryer përafërsisht dikur mes marsit të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999 në një numër vendndodhjesh në Kosovë dhe Shqipëri./InLajmi/