Në takimin e qeverisë me kryetarët e komunave u diskutua për masat e pakos emergjente 75 milionëshe nga Bashkimi Evropian për përballje me krizën energjetike evropiane dhe masat e efiçencës së energjisë për ndërtesat për banim social në pronësi komunale, sektorin rezidencial dhe ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, përcjell InLajmi
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se në kuadër të planit emergjentë prej 75 milionë eurove këtë vit do të fillojë zbatimi i masës së efiçencës së energjisë që kapin vlerën prej 15 milionë eurove,
“Për sektorin rezidencial, pra për familjet, do t’i subvencionojmë pajisjet ngrohëse efiçente siç kemi bërë edhe vitin e kaluar, duke përfshirë këtu klimat, kaldajat, stufat dhe pajisje të tjera shtëpiake që kanë potencial për kursim të energjisë që janë frigoriferët dhe të tjera. Kemi pasur biseda edhe me Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe kam adresuar tek ai kërkesën për të ndërmarrë hapat për të standardizuar dhe harmonizuar legjislacionin sekondar i cili ka të bëjë me instalimin e sistemeve solare fotovoltaike për vetëkonsum që ka qenë edhe një ndër kërkesat e juaja në takimin e kaluar dhe ministri na ka premtuar se do t’i ndërmarrin hapat me prioritet që nga java e ardhshme, shpresoj”, u shpreh Rizvanolli në një takim me qëllim të bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional ndërmjet të Qeverisë dhe Komunave.
Rizvanolli tutje tha se sivjet për herë të parë do të subvencionohen ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme për pajisje ngrohëse efiçente dhe pajisje teknologji efiçente./InLajmi/