Muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” prej disa ditësh ka shfaqur në ambientet e saj ekspozitën me foto të veriut të Shqipërisë në periudhën nga vitet 1930 deri në vitet 1970 me autorë Safet e Gjylzade Dokle.
Përmes 20.000 negativëve të dhuruara nga pasardhësit e familjes Dokle pranë fondit të fototekës “Marubi” u përzgjodhën disa foto nga kuratori Lek Gjeloshi ku ndërthuren elementë të transformimit ndër vite të Kukësit të vjetër por dhe tranzicioni i 2 sistemeve.
“Po flasim për një koleksion që vjen dhe dokumenton një hark kohor afro 40-vjeçar të qarkut të Kukësit dhe zonat përreth. Pra në këtë kuptim një risi të madhe sjell edhe aspekti etnografik i atyre zonave që është mjaft i pasur për hir të së vërtetës por nga ana tjetër na tregon edhe një ekzistencë njerëzore e cila në një farë mënyre u zhvillua në ato vite ndërkohë që shoqëria shqiptare në periudha të caktuara e ndryshonte boshtin e orientimeve politike e ideologjike. Po flasim nga periudha e miqësisë me Bashkimin Sovjetik , mbrapa me revolucionin popullor kinez me komplet at fryme”, tha Lek Gjeloshi
Ndër më interesantet sipas kuratorit janë motivet tradicionale në veshje por dhe prania e emrit të diktatorit Enver Hoxha.
Për drejtuesin e “Marubit” Luçjan Bedeni dhurimi i këtij fondi pranë këtij muzeu, si më i madhi ndonjëherë për nga sasia është shumë i rëndësishëm për dokumentimin e historisë por dhe pasurimin e fondit të fototekës që synohet shumë shpejt të shkojë deri në 1 milionë negativë, shkruan EuroNews.al
“Referuar koleksionit te Dokleve për muzeun “Marubi” kanë qenë disa pika të rëndësishme të vlerësimit të tij, pra aspekti i vlerave antropologjike, etnografike dhe patjetër gjeografike, meqenëse ky është koleksioni më i madh i dhuruar pjesë e një institucioni të shtetit që dëshmon Shqipërinë verilindore. Ne synojmë drejtë një numri të konsiderueshëm, do të thoja 1 milionë imazhe dhe jemi duke punuar me familje të cilat disponojnë koleksione të rëndësishme” , tha Luçjan Bedeni, drejtor i fototekës Marubi.