Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka parashtruar pyetje drejtuar kryeministrit Albin Kurti për zgjedhjet në 4 komunat e veriut, raporton InLajmi.
Musliu-Shoshi derisa përmendi shtyrjen e këtyre zgjedhjeve, ndërsa pyeti Kurtin se “në rrethanat e krijuara a po mundësohen zgjedhje të lira dhe të drejta të veriut?”.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, theksoi se Qeveria e Kosovës është në shërbim të Komisionit Zgjedhor Qendror. Tutje bëri të ditur Kurti se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në veri të vendit.
”Qeveria e Kosovës në procese zgjedhore është në shërbim të Komisionit Qendror Zgjedhor dhe ne kësisoj i përgjigjemi kërkesave të tyre. Kësisoj konform obligimeve kemi ndërmarrë veprimet e duhura në mbështetje të KQZ-së, kemi vënë në funksion mekanizmat institucionalë dhe burimet e nevojshme për përgatitjen për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të vendit”, u shpreh Kurti.
Për më tepër, kryeministri paralajmëroi se kushdo që cenon mbarëvajtjen e zgjedhjeve në veri do të përballet me përgjigjen e institucioneve të Kosovës me forcën e ligjit. /InLajmi/