Situata në veriun e Mitrovicës vazhdon të jetë e tensionuar. Në ditët kur po afrohet data e zgjedhjeve për 4 komunat serbe në veri, 8 vetura të serbëve lokal, të regjistruara me targa RKS janë djegur.
Lidhur me këto incidente dhe për situatën në veri të vendit ka folur eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, i cili ka thënë se kjo është një formë e luftës përmes akteve terroriste.
“Është një formë e luftës speciale përmes akteve terroriste për të frikësuar civilët serb për tu integruar në jetën shoqërore dhe shtetërore kosovare”, ka thënë Kajtazi.
I pyetur nëse tensioneve në veri i ka kontribuuar edhe përcaktimi i Listës Serbe që të mos marrë pjesë në zgjedhjet për kryetar të katër komunave të veriut të Kosovës, të shpallura për datën 23 prill, Kajtazi ka thënë se kjo listë nuk është kontribuuese por zbatuese e veprimeve që krijojnë tensione ne Kosovë, pasi që sipas tij, ajo vetëm i zbaton urdhrat.
“Lista Serbe është ekspozitur, apo rezidentur e qeverisë serbe në Kosovë, përmes së cilës realizohen të gjitha aksionet subversive serbe në drejtim të Kosovës. Ajo vetëm zbaton urdhrat e qeverisë serbe, ajo nuk është kontribuuese, por zbatuese e veprimeve që krijojnë tensione në Kosovë”,është shprehur ai.
“Diplomacia jonë 2 vitet e fundit është inekzistente, çështja e veriut do të zgjidhet përmes vendimeve politike”
Kajtazi ka deklaruar se zgjidhja për çështjen e Veriut do të bëhet përmes vendimeve politike, të cilat janë të imponuara nga fuqitë e mëdha duke shtuar se për shkak se diplomacisë kosovare, pala serbe po paraqitet e virgjër ndaj bashkësisë ndërkombëtare, shkruan FrontOnline
“Zgjidhja e çështjes së Veriut do të bëhet përmes vendimeve politike, të cilat do të imponohen nga fuqitë e mëdha. Tani Kosova dhe Serbia janë akter të cilët përmes diplomacisë do të tentojnë që secila palë të përfitoj më shumë. Fatkeqësisht, diplomacia e jonë në këto 2 vitet e fundit është inekzistente, duke bërë që ajo serbe të fitoj terren. Kjo ka ndikuar që tani të kemi një situatë ku Serbia të paraqitet e virgjër para bashkësisë ndërkombëtare, duke ja dal që të fshijë fajësinë për gjenocidin në Bosnje dhe Kosovë, ku pjesëmarrëse ishte edhe kjo klasë politike që përfaqësohet nga Vuçiq”.