Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka kujtuar 24-vjetorin e rënies heroike të bashkëluftëtarit të tij Naser Brahimaj, përcjell InLajmi.
Haradinaj thotë se Brahimaj është një nga figurat më emblematike të UÇK-së.
Tutje, ai kujtoi masakrën e Rezallës së Drenicës dhe asaj të Llovcës të Gjilanit, për të cilat tha se “janë plagë e pashërueshme edhe sot”.
Haradinaj përmendi edhe Fetnete Ramosaj, duke thënë “sot bëhen 4 vjet pa gruan që shkroi historinë”.
Postimi i plotë i tij:
Sot në 24-vjetorin e rënies, kujtoj me respekt heroizmin e bashkëluftëtarit tim Naser Brahimaj, njëri prej figurave më emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jo vetëm në fshatin Shqiponjë e Dukagjin, por edhe në fushëbeteja të tjera anë e kënd Kosovës.
Sot kujtojmë po ashtu vëllezërit dhe motrat tona në Rrezallë të Drenicës dhe në Llovcë të Gjilanit, të cilët u vranë vetëm sepse besonin në liri. Këto masakra, nga të cilat ende ka shumë të pagjetur, janë plagë e pashërueshme edhe sot.
Sot gjithashtu, u bënë 4 vjet pa gruan e cila bëri dhe shkroi historinë, zërin e UÇK-së, bashkëluftëtaren time Fetnete Ramosaj.
Përjetësisht përulem para sakrificës së atyre që dhanë nga jeta e tyre për lirinë tonë!
Kujtimi për ta do të jetë i përhershëm!
Lavdi! /InLajmi/