Fadil Demaku, ish-deputet që votoi kundër formimit të Gjykatës Speciale, thotë se dëshmitë kundër Thaçit e të tjerëve janë të përpunuara me qëllim kriminalizimin e luftës së UÇK-së.
Demaku i cili edhe ishte i gjykuar për krime luftë në rastin ‘Drenica 2’ thotë se edhe në atë kohë ishte përballur me dëshmi të manipuluara.
“Dëshmitë kundër tyre jam i bindur që janë të fabrikuara, të cilat janë përpunuar me qëllimin sa për të kriminalizuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë mendim e ndërlidhi edhe kthehem në kohën e kaluar kur vet kemi qenë në një proces të tillë dhe jemi përballur në një kohë të gjatë me një dëshmitar krejt të manipuluar, me dezinformata të tilla por ishte një proces politik që në fund të fundit atë deshtën ta realizonin atë qëllim dhe ju ka shërby për të krijuar balancimet e nevojshme politike në raport me zhvillimet dhe bisedimet Kosovë – Serbi”, ka thënë Demaku në Ditari në Tëvë 1.
Sipas Demakut, Gjykata Speciale është mekanizëm që është krijuar për t’i bërë koncesione Serbisë dhe kjo dëshmohet në marrëveshjen e fundit Kosovë – Serbi.
“Gjykatën nuk e shoh absolutisht në kuadër të këndit të drejtësisë, po e shoh si një mekanizëm për t’iu bërë koncesione Serbisë, për të kaluarën dhe ndryshimet gjeostrategjike e bëjnë të veten, pozicionimet e reja, zhvillimet e mëdha ndërkombëtare që ndodhin. Këtë ta dëshmon, e kemi edhe në marrëveshjen e fundit që kërkohet që palët të mos kthehen nga e kaluara sepse duke i bërë këto zhvillime në raport me UÇK-në, ata kanë përgatitur terrenin e gatshëm për të thënë se s’keni çka thoni nga e kaluara sepse të dyja palët keni qenë të përfshira në krime”, ka thënë Demaku.