Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj dekretoi të hënën e 3 prillit emërimin e Vlora Hysenit si drejtuese e Shërbimit Informativ Shtetëror.
Vlora Hyseni ishte në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës në Kosovë që nga dhjetori i vitit 2020, kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prill të vitit 2021, kur në detyrën e drejtorit ishte emëruar Petrit Ajeti.
Në shkurt të vitit 2019, Vlora Hyseni ishte emëruar zëvendësdrejtoreshë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Paraprakisht, ajo ishte drejtoreshë për marrëdhënie me jashtë në AKI.
Presidentja Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, më 30 qershor të vitit 2021 e kishin shkarkuar nga detyra Hysenin.
Presidenti Bajram Begaj dekretoi në 23 dhjetor 2022 lirimin nga detyra të drejtorit të Shërbimit Informativ i Shtetit, Helidon Bendo, i cili ishte emëruar në detyrën e drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit në datën 5 nëntor 2018, përcjell Telegrafi
SHISH është institucion qendror që varet nga Kryeministri dhe drejtohet nga Drejtori. Veprimtaria e SHISH-it bazohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në legjislacionin në fuqi. Drejtori dhe zëvendësdrejtori i SHISH-it emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit. Struktura dhe organika e SHISH-it propozohen nga Drejtori dhe miratohet nga Kryeministri. Parimet bazë të punës së këtij institucioni janë ligjshmëria, objektiviteti dhe sekreti.