Presidenti në largim i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq e ka uruar kundërshtarin e tij në zgjedhje presidenciale, Jakov Milatoviq i cili arriti t’i fitojë zgjedhjet.
Pasi janë numëruar pjesa dërmuese e votave, Gjukanoviq përgëzoi pasardhësin e tij.
“Mali i Zi zgjodhi. Unë e respektoj atë zgjedhje. E përgëzoj Jakov Milatoviqin për besimin që mori në zgjedhje”, tha Gjukanoviq në fjalën e tij.
Ai falënderoi të gjithë qytetarët që i besuan.
“Për mua, secila votë është e vlefshme sa një mal, sepse ruajtja e besimit pas 30 vjetësh në pushtet nuk është shumë e lehtë”, theksoi Gjukanoviq, shkruan Tëvë1.
Milo Gjukanoviq për 30 vjet ka qenë në pushtet shtatë herë kryeministër dhe 2 herë ishte president.