Kuvendi i Kosovës do të bashkëpunojë me Ambasadën Zvicerane në Kosovë, e cila me anë të një projekti do t’i ndihmojë deputetët dhe zyrtarët e administratës së këtij institucioni përmes trajnimeve dhe konsulencës.
Kështu u bë e ditur në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ku u diskutua për zhvillimin e diplomacisë parlamentare nga Qendra për Studime Politike dhe Diplomatike.
Këshilltari i kabinetit të kryetarit të Kuvendit, Besnik Vasolli, tha projekti do të jetë bashkëpunim me një kompani të përbërë nga deputetë dhe institucione të Bashkimit Evropian.
“Në bashkëpunim me Ambasadën Zvicerane e kemi bërë këtë bashkëpunim për një projekt, është kompani, e cila është e përberë më deputetë dhe institucione të ndryshme të Bashkimit Evropian. Qëllimi i projektit është që të ndihmojë parlamentin tonë. Do të mbulojë edhe zyrtarët e administratës, do të bashkëpunojnë me deputete. Të gjitha këto elemente do t’i përkrahin, si me trajnime, si me konsulencë”.
“Ata kanë qenë në Kosovë, me disa deputetë kanë arritur të takohen, janë duke përpiluar se ku ata mund të na përkrahin. Trajnimet planifikohen te fillojnë në maj, projekti pritet që të përfundojë deri në nëntor ose dhjetor. Mirëpo këtu nuk përfundon bashkëpunimi”, tha ai.
Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj, u interesua se kur mund ta ketë Komisioni një plan konkret, në mënyrë që ta trajtojnë atë.
“Po më intereson ta di se a ka një plan konkret përveç këtyre trajnimeve që do të mbahen, që të shohim si ta trajtojmë këtë plan. Kërkoj që ai plan të sillet dhe ta diskutojmë”, tha ajo.
Vasolli tha se një draft i planit konkret është premtuar dikur nga mesi i prillit, raporton Ekonomia Online.
Ky komision diskutoi edhe për parapërgatitje për vizitën në Republikën e Shqipërisë, mirëpo kjo pikë ishte e mbyllu për media.