Ish-kryetari i Podujevës Agim Veliu, ka akuzuar kryetarin e kësaj komune Shpejtim Bulliqin, për korrupsion dhe nepotizëm, përcjell InLajmi.
Veliu thotë se kryetari Bulliqi erdhi në pushtet me fushatën e egër të spastrimeve brenda administratës komunale.
Sipas tij, Bulliqi për të ardhur në pushtet kishte përdorur strategjinë e frikësimit, presionit dhe kërcënimit në forma të ndryshme të largimit nga vendi i punës.
Veliu thekson se kryetari i Podujevës nuk është duke bërë asgjë të mirë për qytetarët e kësaj komune.
Postimi i plotë i tij:
Erdhën në pushtet duke proklamuar qeverisje pa korrupsion, pa nepotizëm, pa krime me tendera e punësime publike. E dinin dhe i njihnin kush janë ata që po premtonin, por ua besuan pushtetin. Mirëpo, shpejt u bindën se e tëra ishte rrenë dhe mashtrim.
Ende pa u ulë në “fron”, kreu i mashtruesve të LVV-së në Podujevë, nisi zbatimin e programit qeverisës korruptiv, përmes zhvatjes, nepotizmit dhe punësimeve partiake.
Përveç kësaj, kreu i mashtruesve në Komunën e Podujevës, nisi fushatën e egër të spastrimeve brenda administratës komunale. Strategjia që zbatoi nga dita e parë ishte ajo e frikësimit, presionit dhe kërcënimit në forma të ndryshme të largimit nga vendi i punës.
Diskriminimi vazhdoi përmes ndërrimit të vendeve të punës për punëtorët e administratës, duke i ulë në pozita. Kryetari aksidental e bëri këtë si formë presioni ndaj shërbyesve civilë, që të dorëzohen dhe ta lëshojnë punën. Të gjitha këto i bëri në mënyrë të kundërligjshme. Dëshmi për këtë janë vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, i cili i shpalli të paligjshme vendimet e kryetarit të Komunës.
Qeverisjes abuzuese të kryetarit aksidental nuk i rrezistuan as bashkëpunëtorët e tij në ekzekutiv, duke u dorëhequr nga pozitat e drejtorëve.
Këtij pushteti që u instalua përmes rrugës dhe këtij kryetari abuziv, shpejt u doli boja.
Jo që nuk bënë asgjë të mirë për komunën dhe qytetarët e saj, por që nga dita e parë qeverisën me platormën e abuzimit me shërbyesit civilë dhe mashtrimit të qytetarëve.
Kryetarit mashtrues dhe abuzues duhet t’i thuhet ndal! /InLajmi/