Korridori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj ishte mbushur me pacientë që prisnin të kontrolloheshin nga mjeku familjar gjatë javës së kaluar.
Brenda po i priste mjeku specialist i mjekësisë familjare, Istref Bajraktari.
Ai ka rreth një muaj që ka mbushur moshën e pensionimit dhe do të duhej ta ndërpriste punën, mirëpo Komuna e Skenderajt vendosi t’ia vazhdonte angazhimin për shkak se po përballen me mungesë të mjekëve.
“Vendosa të vij pak t’i ndihmoj popullatës dhe shtëpisë së shëndetit”, thotë Bajraktari, i cili kryen vizita mjekësore për 60 deri 120 pacientë në ditë.
Si të punësuar në sektorin publik, punëtorët shëndetësorë në Kosovë pensionohen në moshën 65-vjeçare, kur edhe u ndërpritet angazhimi i rregullt në institucione shëndetësore.
Mjekësia primare, përkatësisht qendrat e mjekësisë në nivele komunale udhëhiqen nga komunat, ndërsa mjekësia sekondare (spitalet) dhe ajo terciare (Qendra Klinike Universitare e Kosovës – QKUK), udhëhiqen nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.
Rrezarta Ibrahimi, drejtoreshë për Shëndetësi në Komunën e Skenderajt thotë se angazhimin e Bajraktarit e kanë bërë përmes një procedure të prokurimit, me të cilën mjekut i paguhet shërbimi në baza mujore.
Megjithatë, nga paga mbi njëmijë euro që i takonte me kontratë të rregullt, me këtë formë të angazhimit, mjekut i bie të paguhet më pak se gjysma e kësaj shume.
Ibrahimi tregon se në gjithë Skenderajn kanë të angazhuar 31 doktorë për 5 qendra të mjekësisë familjare dhe 7 qendra ambulantore.
Mungesën e mjekëve e kishin vërejtur më së shumti në fushën e mjekësisë familjare ku kanë të angazhuar vetëm 3 mjekë, përfshirë Bajraktarin.
“Në komunën e Skenderajt kemi shumë [ mjekë] që janë të gatshëm [të angazhohen], por me njëfarë forme nuk po na lejohet t’i angazhojmë aq sa ne dëshirojmë”, thotë Ibrahimi, shkruan REL.
Sipas saj, komuna nuk ka shumë mundësi financiare për t’i angazhuar mjekët e pensionuar me pagë të plotë, ndërsa procedura tenderuese, sipas saj, i kushton në kohë komunës.