Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka shpërndarë Parlamentin më 16 mars dhe sipas Kushtetutës, ai tani duhet që deri më 17 mars të njoftojë për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Vendimi për shpërndarjen e Parlamentit vjen 3 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, në të cilat garon edhe Gjukanoviqi.
Sipas njoftimit të Presidencës, dekreti për shpërndarjen e Parlamentit të Malit të Zi u nënshkrua në bazë të nenit 92, pika 3 e Kushtetutës së Malit të Zi.
Qeveria aktuale e Dritan Abazoviqit para 7 muajsh u rrëzua nga një mocion mosbesimi. Ekzekutivi u rrëzua pasi Abazoviq nënshkroi Marrëveshjen Bazë me Kishën Ortodokse Serbe në gusht të vitit 2022.
Sot, 90 ditë pasi janë miratuar ndryshimet në Ligjin për president, në bazë të të cilave Miograd Llekiq u propozua për mandatar të Qeverisë, ky legjislacion u botua në Gazetën Zyrtare.
Llekiq dështoi të siguronte mbështetjen e 41 nga 81 deputetët e Parlamentit dhe të formonte Qeverinë e re brenda afatit të caktuar prej 90 ditësh, shkruan REL.
Gjukanoviq kishte thënë se ndryshimet në Ligjin për president ishin kundërthënëse dhe këshilltarët e tij ligjorë e dërguan atë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë.