Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Ardi Nurellari, e ka cilësuar “të pakuptueshëm” përpjekjen e kryeministrit Kurti për të kujtuar e glorifikuar liderë politikë serbë që kanë qenë pjesë e elitës shoviniste, përcjell InLajmi.
Ky reagim nga Nurellari erdhi pasi kryeministri i vendit Albin Kurti kujtoi dhe nderoi ish-kryeministrin serb Zoran Gjingjiq në 20-vjetorin e vrasjes së tij.
Për më tepër, Nurellari ka ndarë edhe një letër të ish-kryeministrit serb Zoran Gjingjiq dërguar Ratko Mlladiqit, i cili ishte i dënuar për gjenocidin në Bosnje.
Nurellari thotë thotë se Gjingjiq ra viktimë e luftës së brendshme për pushtet.
Postimi i plotë i tij:
Është e pakuptueshme përpjekja e kryeministrit Kurti për të rehabilituar e glorifikuar liderë politik serbë që kanë qenë pjesë e elitës shoviniste. Pas lëvdatave për Oliver Ivanoviqin, kryeministri i Kosovës thurr elozhe për ish-kryeministrin serb Zoran Gjingjiq, i cili ra viktimë e luftës së brendshme për pushtet.
Ja çfarë i shkruante kriminelit të luftës, të dënuar si përgjegjës për gjenocidin në Bosnje, Ratko Mlladiqit, ky “demokrati intelektual pro-evropian” që kaq shumë admirohet nga kryeministri i Kosovës
I nderuar Z. Gjeneral,
Në emër të të gjithë anëtarëve të Partisë Demokratike dhe në emrin tim personal, ju uroj të gjithë ushtarët, nënoficerët, oficerët dhe ju personalisht Ditën e Ushtrisë së Republikës Srpska. Ushtria e Republikës Srpska, e formuar gjatë luftës për liri, është një shembull se si një ushtri e vogël por popullore mund të ruajë me sukses shtetin dhe të mbrojë njerëzit.
Pavarësisht negociatave të paqes, suksesin e të cilave ne të gjithë e dëshirojmë, na duhet një ushtri e fortë, në mënyrë që pala tjetër të heqë dorë nga synimi i saj për të vazhduar luftën. Shpresoj se populli serb, si dhe Ushtria e Republika Srpska, do ta mirëpresin Vidovdanin e ardhshëm në paqe.
Me respekt, Dr. Zoran Gjingjiq. /InLajmi/