Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka paralajmëruar protesta në rast se shtrenjtohet çmimi i energjisë elektrike, raporton InLajmi.
Deputeti i kësaj partie Pal Lekaj, në një konferencë për media theksoi se propozimi për rritjen e çmimit të energjisë është një “shok lajm” për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Arsyeja e thirrjes së konferencës ka të bëjë me paralajmërimin dhe tentimin e qeverisë për rritjen e çmimit të rrymës elektrike. Ky është një shok lajm për të gjithë qytetarët e Kosovës, bizneset dhe ndërmarrjet e vendit, dhe për të gjithë ne si spektër politik”, tha ai.
Sipas tij, nuk është e arsyeshme që të ketë rritje të 2-të të çmimit të energjisë elektrike.
“Janë disa arsye pse ne mendojmë që kjo nuk duhet të ndodhë. E para, duke marrë parasysh subvencionet e ndara nga qeveria vitin e kaluar për zbutjen e ndikimit të rritjes së çmimit të energjisë, nuk shihet e arsyeshme të ketë rritje të 2-të të çmimit dhe aq më pak të ndodhë të ketë rritje në vlerë prej 14%. Madje ne kemi pritur ulje apo kthim të çmimit të tarifave të vjetra, e jo rritje të 2-të”.
Leka theksoi se nëse ndodh kjo rritje e energjisë elektrike qytetari do të goditet nga varfëria e skajshme.
“Qytetarët e vendit janë të lodhur nga shtrenjtimi i secilit artikull dhe jetesa është bërë e vështirë, ku një familje nuk po mundet ta sigurojë as shportën familjare. Vetëm të mendosh edhe një rritje tjetër te çmimit te energjisë nuk është normale dhe as e arsyeshme. Nëse ndodh kjo rritje, qytetarin e vendos në varfëri të skajshme dhe në luftë për ekzistencë e mbijetesë. Ne do të bisedojmë edhe me qytetarët dhe do të kemi edhe protesta. Nëse ndodhë kjo rritje, atëherë qëllimshëm po nxitet dhe stimulohet edhe më shumë ikja e qytetarëve nga vendi”, tha ai. /InLajmi/