Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka kritikuar KEK-un për keqmenaxhim derisa ka theksuar se partia e tij është kundër ngritjes së tarifave të energjisë elektrike, raporton InLajmi.
Shala thekson se pjesëtarët e ENTSO-e kanë pasur kritika për sistemin energjetik në Kosovë. Sipas tij, ENTSO ka vlerësuar se Kosova është rast ekstrem apo pike e zezë në Evropë sa i përket sistemit energjetik.
“Jemi këtu për shkak të ndërhyrjeve politike në Rregullator. Jemi këtu sepse kemi keqmenaxhim të skajshëm të KEK-ut. Më 7 mars në Komisionin për Ekonomi kemi mbajtur një takim me përfaqësues të ENTSO-e vërejtjet ishin ekstreme si asnjëherë tjetër. Për financat e KOSTT-it, për çmimin e lartë që paguajmë si Kosovë për penaltitë. Nuk ka rast më të rëndë se kur përfaqësues të ENTOS-e na thonë që jemi rast ekstrem si pikë e zezë në Evropë. Paralajmërimet e tilla duhet të jenë shqetësuese. Ju lutem reflektoni dhe veproni. Në emër të PDK ua ofrojmë mbështetjen për të dalë nga këtu por jo në këtë formë siç jeni duke bërë”. /InLajmi/