Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë as nuk i harrojmë e as nuk i falim, përcjell InLajmi.
Sveçla tha se është njoftuar për arrestimin e një qytetari i nacionalitetit serb që akuzohet se gjatë vitit 1999 në cilësi të personit zyrtar ka ushtruar dhunë dhe keqtrajtim ndaj civilëve të pafajshëm.
Ai tha se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe ky është një fakt i njohur botërisht, kryesit e akteve kriminale ndaj popullatës së pafajshme nuk janë dënuar asnjëherë për këto krime ose janë dënuar minimalisht, shtoi Sveçla.
Ministri i Punëve të Brendshme gjithashtu tha se dhimbja është ende e freskët për secilin qytetar të shtypur, të dëbuar të masakruar dhe të zhdukur.
Postimi i plotë i tij:
Krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë as nuk i harrojmë e as nuk i falim. Drejtësia për secilin akt ç’njerëzor ndaj popullatës së pafajshme është e pashmangshme.
Sot jam njoftuar se është arrestuar një qytetar i nacionalitetit serb që akuzohet se gjatë vitit 1999, në cilësi të personit zyrtar, ka ushtruar dhunë, torturë e keqtrajtim ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë. I njejti po ashtu akuzohet se në bashkëpunim me struktura paramilitare serbe ka marrur pjesë edhe në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës.
Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe ky është një fakt i njohur botërisht. Kryesit e akteve kriminale ndaj popullatës së pafajshme nuk janë dënuar asnjëherë për këto krime ose janë dënuar minimalisht.
Teksa ne e kemi të freskët dhimbjen për secilin qytetar të shtypur, të keqtrajtuar, të dëbuar, të masakruar e të zhdukur, drejtësia është domosdoshmëri. Është e vonuar por është e pashmangshme./InLajmi/