Që prej vitit 2004, 6 Marsi është caktuar si “Dita Ndërkombëtare e Logopedisë”, datë kjo e rëndësishme për ndërgjegjësimin mbi rëndësinë, vlerësimin dhe trajtimin e çrregullimeve të të folurit, shkruan InLajmi.
Çrregullimet e të folurit prekin si fëmijët ashtu edhe të rriturit, të cilët priren të kenë vështirësi në kuptimin dhe përpunimin e informacionit verbal, e pasojat nëse nuk trajtohen me kohë këto çrregullime janë të mëdha, andaj nevoja për trajtim nga një logoped është e domosdoshme, por jo në të gjitha vendet e botës logopedia është e zhvilluar, e ndonjëherë edhe mundësitë jo të mira financiare i lënë shumë fëmijë pa trajtim logopedik, i cili është esencial për përmirësimin e të folurit.
Një problem të tillë e ka edhe Kosova, e cila ballafaqohet me mungesë të logopedëve dhe kushteve jo të mira nëpër shkolla për trajtimin e fëmijëve me çrregullime të të folurit, e për pasojë prindërit në pamundësi për t’i trajtuar fëmijët në institucionet publike detyrohen të shkojnë në ato private, të cilat kushtojnë jo pak.
Ka raste kur në Klinikën e Otorinolaringologjisë në QKUK paraqiten familje që vijnë nga komunat më larg Prishtinës dhe për shkak të kushteve jo të mira financiare i duhet të ndërpresin trajtimin e fëmijës. Një rast të tillë e tregon edhe shefja e Shërbimit të Logopedisë në Klinikën e ORL-së në QKUK, Zahide Uka-Rraci, e cila shpreh shqetësimin për problemet me të cilat ballafaqohen familjet në Kosovë, të cilët për shkak të kushteve jo të mira financiare dhe mungesës së asistentëve në shkolla shpeshherë nuk mund t’i dërgojnë fëmijët për trajtim.
“Ka raste kur prindërit për shkak të kushteve jo të mira dhe mungesës së asistentëve nuk mund t’i dërgojnë fëmijët për t’i ndjekur mësimet në shkollë. E raste të tilla ndodhin më tepër në vendet rurale, ku kushtet për mbijetesë janë minimale, e mungesa e asistentëve shihet si diçka dytësore”
Logopedia Uka-Rraci nuk përjashton rastet problematike, kur prindërit i dërgojnë me vonesë fëmijët e tyre për trajtim.
“Ka raste kur prindërit hezitojnë t’i dërgojnë fëmijët te logopedi, e ka raste kur ata nuk i sjellin tek ne deri në moshën 4-5-6 vjeçare dhe arsyetimet e tyre janë banale si: “Ai ka folur kështu, jo valla ashtu”. Kështu në të tilla raste prindërit padashje krijojnë një lloj “ngërqi” në punën tonë”
Uka-Rraci thekson se kjo vonesë e sjelljes së fëmijës për trajtim në logopedi ka pasoja të mëdha.
“Në secilën fushë shëndetësore është i rëndësishëm momenti i detektimit të problemit e poasaçërisht për logopedët momenti i detektimit është pika kyçe që na referon se a do të kemi sukses apo mosukses në trajtim. Sa më herët që deteketohen problemet në të folur edhe lajmërohen mundësia për përmirësim është shumë më e madhe”.
Gjithashtu Ukra-Rraci vlerëson se nevoja për logopedë në shkollat e Kosovës është e padiskutueshme.
“Nevoja për logopedë nëpër shkolla është e padiskutushme, por ne shpresojme se kjo nevojë të mos kufizohet vetëm nëpër shkolla, por të shihet mundësia nga ana e politikëbërësve tanë, që logopedët para se gjithash të jenë të përfshirë edhe në shëndetin primar, sepse aty pothuajse është edhe kontakti i parë me mjekun familjar, i cili me një vlerësim më të kujdesshëm mund të detektojë simptoma të çrregullimeve të ndryshme gjuhësore”, tha Uka-Rraci.
Shefja e Shërbimit të Logopedisë në Klinikën e ORL në QKUK flet edhe për zhvillimin e kësaj fushe në Kosovë. Ajo thotë se logopedia si degë e re po shënon progres viteve të fundit në Kosovë, por pavarësisht kësaj, Uka-Rraci thekson se ka ende shumë punë për t’u bërë në avansimin e kësaj fushe.
“Logopedia si degë e re në Kosovë mund të them se çdo ditë e me shumë po shenon progres në të gjitha sferat e zhvillimit te saj. Duke marrë parasysh gjendjen e disa viteve me përpara lirisht mund te themi se logopedia është në një stad më të avancuar, krejt kjo falë punës e përkushtimit të logopedëve, por pavarësisht kësaj, nuk jemi ende të kënaqur, pasi kemi akoma shumë për të bërë, por shpresoj shumë se e gjithë kjo do të arrihet me bashkëpunim”, tha Uka-Rraci.
Nga ana tjetër, udhëheqësja e Institutit Kosovar për Logopedi Ardita Uka-Rexha, thotë se logopedëve në Kosovë nuk po u jepet vlerësimi i duhur, andaj sipas saj, qeveria duhet të marrë masa sa më parë që këto shërbime të ofrohen në institucione shtetërore, ku edhe janë në mungesë.
“Ende logopedit nuk i jepet vlerësimi i duhur nga institucionet shtetërore dhe ende nuk dihet roli dhe rëndësia e shërbimeve logopedike nga institucionet. Roli i logopedit është i domosdoshëm në shkolla ku kanë qasje fëmijët. Qeveria duhet që sa më parë të marrë masa që këto shërbime të ofrohen në institucione shtetërore, ku dihet se ne si shtet jemi në gjendje jo të mirë ekonomike dhe financiare dhe jo çdo fëmijë mund të rehabilitohet në privat”.
Uka-Rexha shpreh shqetësimin për mungesën e logopedëve. Ajo theksoi se në shkollat e Kosovës janë studentët, ata të cilët ofrojnë shërbime logopedike në formë vullnetare në mungesë të logopedëve.
“Fatkeqësisht në shkollat tona nuk ka logopedë të cilët janë të punësuar, kemi vetëm studentë të cilët mbajnë shërbime terapeutike në formë vullnetare ose në kuadër të një projekti”.
Logopedia Uka-Rexha bëri të ditur se Instituti Kosovar për Logopedi ka filluar ofrimin e shërbimeve logopedike falas për fëmijët me çrregullime të të folurit në Shkollën Fillore “Emin Duraku”, por shtoi se kjo iniciativë do të vazhdojë edhe në shkollat e tjera të Kosovës.
“Për momentin e kemi një kabinet në Shkollën Fillore “Emin Duraku”, i cili po ofron shërbime logopedike falas për 13 fëmijë në këtë shkollë, por kemi marrë thirrje edhe nga shkollat e tjera që të krijojmë kabinete të tilla. E kemi parë që nevoja për logopedë është e jashtëzakonshme, prandaj e kemi në plan që të hapim kabinete të reja, e për këtë kemi drejtuar kërkesë për lejim edhe te Drejtoria e Arsimit që këto kabinete të hapen edhe në shkollat “Arsim Bokshi” dhe “Mehmet Gjevori”.
Uka-Rexha tha se viteve të fundit ka filluar punësimi i asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, e që sipas saj, kjo është një ndihmesë e madhe, por jo e mjaftueshme, pasi shkollat përballen me mungesën e logopedëve.
“Ne si shoqatë që nga viti 2018 mundohemi që këto raste të cilat nuk kanë kushte të mira dhe financiare t’iu ndihmojmë së paku nëpër shkolla me asistentë, ku fatmirësisht vitin e fundit Ministria e Arsimit ka punësuar asistentë, të cilët janë një ndihmesë shumë e madhe për fëmijët me nevoja të veçanta që janë në shkolla të rregullta, megjithëse kjo nuk është e mjaftueshme sepse në shkolla duhet të ketë logopedë”.
Sipas vëzhgimeve të këtij instituti, në çdo klasë së paku 3 fëmijë kanë nevojë për shërbim terapeutik logopedik. Vetëm në Shkollën Fillore “Emin Duraku” sipas të dhënave nga Instituti Kosovar për Logopedi, 21 fëmijë kanë nevojë për shërbime logopedike. Shqipe Vishaj /InLajmi/