Presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në ceremoninë e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së, raporton InLajmi.

Në ceremoninë e mbajtur për nder të 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, Osmani theksoi se populli ynë së bashku me luftëtarët e saj i ka treguar botës se e do dhe e meriton lirinë.
“Sot jemi mbledhur për të përkujtuar 25 vjetorin e një ngjarjeje që ndryshoi rrjedhën e historisë, një ngjarje që i tregoi botës se çfarë mund të arrijë një popull që e do dhe e meriton lirinë, sidomos kur në krye të tij ka patriotë të devotshëm e trima sikurse komandanti legjendar, Adem Jashari me familjen e tij, por edhe vajza e djem të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, u shpreh ajo.
Presidentja theksoi se kujtimi për luftëtarët e lirisë do të jetë gjithmonë në zemrat dhe mendjet e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Të gjithë heronjëve të rënë, faleminderit përjetësisht, faleminderit për shërbimin, guximin dhe sakrificën gjithë luftëtarëve tanë, kujtimi për heronjtë dhe respekti për luftëtarët do jetë gjithmonë në zemrat dhe mendjat e të gjithë qytetarëve të Kosovës, duke e çmuar dhe ruajtur fortë lirinë dhe Republikën tonë, Zoti e bekoftë familjen Jashari, Zoti i bekoftë të gjithë dëshmorët tanë, Zoti i bekoftë qytetarët tanë dhe Republikën e Kosovës”, u shpreh tutje ajo. /InLajmi/





















