Kosova ende nuk e ka një ligj që e përcakton qartë fushën e ndërtimit të objekteve të ndryshme në vend, kurse brengë kryesore e arkitektëve është nëse ndërtimet i rezistojnë apo jo tërmeteve të fuqishme.
Kështu tha arkitekti Arbër Shala i cili shtoi se çdo shtet duhet ta ketë “normën dhe ligjet e aprovuara për ndërtimet e objekteve si të ulëta dhe të larta”.
Mirëpo, sipas tij arkitektët dhe inxhinierët në vend kryesisht bazohen në norma të trashëguara më parë si dhe në EuroCode. Ai tregoi se objektet që i projektojnë duhet t’i rezistojnë shkallës së lartë të tërmetit, diku deri mbi 7.5 të shkallës së Rihterit, shkruan Telegrafi.
“Si pikë e parë kisha me thënë që çdo regjion, shtet duhet me pas normën e vet, ligjin e vet të aprovuar, jo vetëm për ndërtesat shumëkatëshe, por edhe për ato të ulëta në përgjithësi. Fatkeqësisht në Kosovë nuk kemi arritur ende mirëfilltë, me e pas ligjin apo normën tonë që na i cakton të gjitha këto”, tha ai.