Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se Bashkimi Evropian mendon që nënshkrimi i një marrëveshjeje në takimin e tij me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të ishte një lëvizje e parakohshme.
Në një lidhje direkte për “Atlantic Council”, gjersa ka thënë se ishte një takim i mirë e njëherit, i sinqertë, Lajçak ka deklaruar se një nënshkrim i tillë pa pjesën e implementimit do të paraqiste më shumë një deklaratë politike sesa të një marrëveshjeje obligative.
“Kryeministri Kurti propozoi që dakordimi mbi dokumentin do duhej të ndiqej edhe formalisht duke nënshkruar. Reagimi ynë ishte që kjo do të ishte e parakohshme. Kjo marrëveshje nuk është gjë e vogël por pa pjesën e implementimit, është më shumë një deklaratë politike se sa një marrëveshje ligjërisht obligative kështu që, thamë le të presim me nënshkrim derisa të kemi një kuptim të plotë dhe marrëveshje të plotë se si do ta implementojmë”, ka thënë Lajçak.
Më datën 1 mars, Kryeministri Kurti kishte deklaruar se Vuçiq kishte shkelur nenin 4 të planit evropian.
Sipas Kurtit, Serbia ka vendosur të mos negociojë në mirëbesim.
“Presidenti i Serbisë u zotua mbrëmë se do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo do të përbënte një shkelje të qartë të nenit. 4 të propozimit të BE-së. Normalizimi i marrëdhënieve është i mundur vetëm nëse të dyja palët negociojnë në mirëbesim. Serbia me sa duket ka vendosur të mos e bëjë këtë”, ka shkruar Kurti.
Lidhur me këtë, Lajçak ka preferuar të mos komentojë deklaratat e tij e as ato të Vuçiqit.
“I kërkuam të 2 liderëve të jenë të kujdesshëm në komunikimin publik sepse ky është një moment i njdeshëm dhe ne duam të sigurohemi që atmosfera për takimin në mars do të jetë konstruktive dhe e dobishme… Nuk dua të komentoj se çfarë kanë thënë liderët pas takimit sepse kjo nuk është puna dhe përgjegjësia ime. Përgjegjësia ime është të përgaditem për takimin e 18 marsit”, ka deklaruar ai.
BE-ja do të vazhdojë përpjekjet që të gjej pajtim mes Kosovës dhe Serbisë edhe për planin e implementimit deri më 18 mars, datë në të cilën është caktuar edhe takimi tjetër në Ohër.
Ai ka thënë se pret që palët të jenë konstruktive në takimin e ardhshëm.
Ndonëse marrëveshjet për Asocacionin u arritën në vitet 2013 dhe 2015, ishte Gjykata Kushtetuese, ajo e cila tha se marrëveshja e fundit nuk ishte në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia vazhdon të insistojë në themelimin e Asociacionit, por Qeveria e Kosovës e kundërshton një Asociacionin njëetnik, i cili, sipas saj, do të mund të krijonte një nivel të ri të pushtetit, transmeton Dukagjini.
Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takuan më 27 shkurt në Bruksel, me ç’rast, u pajtuan se nuk kanë më nevojë të diskutojnë për propozimin evropian për normalizimin e raporteve në mes 2 vendeve.