Me poezi inspiruese dhe fuqizuese nga poetet/ët, të interpretuara edhe nga aktoret/ët dhe aktivistet/ët, Artpolis do të sjellë mbrëmjen poetike “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 mars” në Menzën Ramiz Sadiku.
Audienca do të ketë rastin të përjetojë një mbrëmje artistike të veçantë, në të cilën ndërthuren arti i poezisë feministe, aktrimit, muzikës dhe vallëzimit. Që të gjitha në shërbim të fuqizimit të grave dhe vajzave në Kosovë.
Në këtë mbrëmje do të interpretojnë artiste/ë dhe aktiviste/ë të dëshmuar në Kosovë, në mesin e tyre do të jenë poetet/ët: Arbër Selmani, Gili Hoxhaj, Sibel Halimi dhe Shpëtim Selmani.
“Poezi për fuqi” do të pasurohet edhe me interpretimet e aktoreve/ëve dhe aktivisteve/ëve: Anisa Ismaili, Aleksandra Joviçiq, Denis Galushi, Donato Giuliani, Fatmir Menekshe, Igballe Qena, Mila Mihajloviq, Meli Qena, Neri Ferizi dhe Shkelzen Veseli.
Gjithashtu do të interpretojë poezi të përzgjedhura nga Shpëtim Selmani edhe Trupa Artistike Rezidente e Artpolis në përbërje të: Blerta Gubetini, Donikë Ahmeti, Edlir Gashi, Kaltrinë Zeneli, Mikel Markaj, Qendresa Kajtazi, Zhaneta Xhemajli, transmeton KultPlus.
Me koreografi nga Robert Nuha do të sjellin vallëzime bashkëkohore kërcimtarët: Altina Binaku, Qendrim Makolli, Lavdije Idrizi, Enis Mulaku, Genta Hoxha dhe Ibrahim Tusha.