Debati përfundimtar për anëtarësimin e vendit në NATO do të fillojë sot në parlamentin e Finlandës, përpara se Helsinki të marrë miratimin e nevojshëm nga Turqia dhe Hungaria.
Me mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Finlandë më 2 prill, Helsinki dëshiron të shmangë vonesat në anëtarësimin e tij në NATO sapo Ankaraja dhe Budapesti të japin miratimin.
Kjo do të thotë se Finlanda është e gatshme të ecë përpara pa pritur Suedinë, e cila gjithashtu ka qenë kandidate që nga viti i kaluar, por aktualisht po përballet me veton turke.
200 deputetët e parlamentit finlandez pritet të fillojnë sot në mbrëmje debatin për projektligjin për anëtarësimin e vendit në NATO, ndërsa votimi pritet të bëhet nesër të mërkurën.
Ky proces parlamentar vjen ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ndodhet në Finlandë për të takuar udhëheqësit kryesorë të vendit nordik me 5.5 milionë banorë.
Rezultati i votimit duket i sigurt, pasi pothuajse të gjitha partitë e Finlandës janë në favor të anëtarësimit të vendit në Aleancë, madje edhe ato që ishin kundër NATO-s një vit më parë.
Rikujtojmë se në një votim paraprak të mbajtur vitin e kaluar në maj, 188 deputetë votuan pro pranimit të vendit. Vetëm një pjesë e vogël e deputetëve të ekstremit të majtë dhe të djathtë pritet të votojnë kundër projektligjit.
Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Finlanda dhe Suedia vendosën të kthejnë faqen e politikës së tyre të neutralitetit ushtarak, duke kërkuar që të anëtarësohen në NATO në mesin e majit 2022.
28 nga 30 vendet anëtare të Aleancës kanë ratifikuar anëtarësimin e 2 vendeve nordike.
Pritet miratimi nga 2 vende: Hungaria, e cila ka një qëndrim më ambivalent ndaj Rusisë dhe Turqia, e cila po shfaqet si ndërmjetëse në konfliktin në Ukrainë dhe ka një rivalitet të gjatë me Suedinë kryesisht për praninë e kurdëve në tokën suedeze.
Deri vonë, Helsinki deklaronte se dëshironte të anëtarësohej në NATO së bashku me Stokholmin. Por ndërsa kriza mes Turqisë dhe Suedisë u përshkallëzua, situata ndryshoi.
Edhe Stoltenberg pranoi në fillim të shkurtit se gjëja më e rëndësishme nuk është që të dy vendet të anëtarësohen në NATO së bashku, por që të anëtarësohen sa më shpejt.
Finlanda dhe Suedia të ndara
Turqia konfirmoi të hënën se mund të veçojë pranimin e Finlandës nga ajo i Suedisë.
“Ne mund ta ndajmë procesin e pranimit të Suedisë nga ai i Finlandës”, tha ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoglu.
Miratimi i projektligjit nga parlamenti finlandez nuk do të thotë se Helsinki do të anëtarësohet automatikisht në NATO, pasi të ketë marrë miratimin e Turqisë dhe Hungarisë.
Por ai përcakton një afat kohor të qartë: pasi projektligji të miratohet, presidenti finlandez Sauli Niinisto ka 3 muaj për ta nënshkruar atë.
Niinisto ka deklaruar tashmë se do ta bëjë këtë “sapo të kalojë në parlament”.
“Nëse ka arsye praktike, mund të pres por jo pas zgjedhjeve të 2 prillit.” Dokumenti i pranimit duhet të dërgohet më pas në Uashington brenda disa javësh”, shpjegoi Tuomas Poisty, raporton Abc.News.al.
Sipas një sondazhi të publikuar në fillim të shkurtit, shumica e finlandezëve (53%) duan që vendi i tyre të anëtarësohet në NATO në mënyrë të pavarur nga Suedia.