Para takimit të 27 shkurtit në Bruksel, të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, hulumtuesi nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane në Bruksel (CEPS), Toby Vogel, tha se versionet e publikuara më parë të propozimit evropian, autenticiteti i të cilit nuk është vërtetuar, tregojnë se kjo zgjidhje mund të jetë në favor të Serbisë.
Kurti dhe Vuçiq të hënën në Bruksel do të takohen në një raund të ri të dialogut midis 2 vendeve, ku në tavolinë do të jetë një propozim evropian, qëllimi i të cilit është normalizimi i marrëdhënieve, pas të cilit qëndronte bota perëndimore – një dokument ende i panjohur për publikun.
Ndonëse të 2 (Kurti dhe Vuçiq) treguan dakordimin e tyre me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Vogel tha se nuk sheh elemente për të arritur ndonjë hap përpara.
“Nuk shoh elemente që do të kontribuonin në një hap të rëndësishëm përpara në proces. Më duket se ky është një takim që synon të ruajë balancën e arritur gjatë javëve të fundit. Thelbi i saj është se të dyja palët e pranuan propozimin franko-gjerman si diçka për të negociuar. Pra, ka të bëjë me përpjekjen për të ruajtur balancën dhe në një farë mënyre, të rindërtohet [propozimi]”, deklaroi Vogel për Zërin e Amerikës (në gjuhën serbe).
Më tej eksperti nga Brukseli u shpreh se “vështirë se mund të shoh një skenar sipas të cilit palët në proces do të shpallnin se heqin dorë dhe se nuk duan të flasin më – dhe nga ana tjetër, ndërmjetësit ndërkombëtarë të tërhiqen”.
“Megjithatë, nëse kjo do të ndodhte – mendoj se skenari do të ishte i ngjashëm me Qipron. Diplomacia ndërkombëtare do të largonte vëmendjen e saj në diçka tjetër dhe do të duheshin vite për të rikrijuar kushtet në të cilat palët do të merrnin pjesë në dialog me ndërmjetësimin ndërkombëtar”, tha Vogel, transmeton Telegrafi.
Ai vëren se versionet e publikuara më parë të propozimit evropian, autenticiteti i të cilave nuk është vërtetuar, tregojnë se kjo zgjidhje mund të jetë në favor të Serbisë.
“Mendoj se është plotësisht e qartë se ka përfitime që janë më afër qëndrimit të Serbisë, e cila nuk është e detyruar të pranojë pavarësinë e Kosovës. Asnjë nga versionet e teksteve që dolën në publik nuk parashikonte njohjen e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur. Kjo është ajo që tregon pa mëdyshje se propozimi evropian duhet të jetë një lloj marrëveshjeje e përkohshme – sepse ajo përfundimtare duhet të çojë në zgjidhjen e asaj çështjeje të konkrete. Kjo më çon në interpretimin se marrëveshja përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të arrihet nga të dyja palët për një kohë të ardhshme”, thekson ai.
Analisti Vogel vë në dukje se ditët e fundit janë dërguar mesazhe nga Beogradi që tregojnë një largim të mundshëm nga ndikimi rus.
“Në fund, gjithçka varet nga një person – dhe ai është presidenti Vuçiq. Nuk mendoj se një marrëveshje e përkohshme do të çonte automatikisht në neutralizimin e ndikimit rus në Serbi. Por, mendoj se është e mundur të imagjinohet se në një moment Vuçiq do të arrijë në llogaritjen se është me interes më të madh për të që të kërkojë lidhje më të ngushta me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Dhe në të njëjtën kohë distancimi nga Moska. Deri ku do të shkojë ai dhe a do të ishte i gatshëm të vendoste sanksione ndaj Rusisë? Është shumë e vështirë të parashikohet, sepse në fund të fundit, gjithçka zbret në vendimin dhe vullnetin e një personi”, përfundoi Vogel