Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha është përplasur ashpër me ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiun për rastin e Astrit Deharit, raporton InLajmi.
Berisha e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për rastin e Deharit dhe për zhdukjen e mostrave derisa theksoi se VV po e përdor këtë rast për qëllime politike.
Tutje, ai tha se interesi i partisë në pushtet është që ky rast të mos zbardhet.
“Këto ditë u riaktualizua vrasja e Deharit, zakonisht këto raste kjo qeveri dhe Vetëvendosja i ka përdorur dhe vazhdon t’i përdorë për qëllime politike, e kjo tashmë është evidente, pasi as pas ekspertizës së institucioneve zvicerane nuk ka ndonjë epilog, çka edhe vë në dyshim se kemi ndërhyrje direkte të politikës dhe qeverisë në zbardhjen e këtyre rasteve. Interesi i partisë në pushtet është që ky rast të mos zbardhet”.
Gjithashtu deputeti i PDK-së tregoi për 2 parakushtet për zbardhjen e rastit të Deharit derisa kjo shkaktoi tensione dhe acarime te Lëvizja Vetëvendosje, të cilët filluan të godasin tavolinat dhe të krijojnë zhurmë në Kuvend.
“Janë 2 parakushte me zbardh rastin e vrasjes apo vetëvrasjes së Astritit. Kushti i parë është zbardhja e aktit terrorist, e sulmeve terroriste në Presidencë dhe objektet e Qeverisë. Por, rastin e sulmeve terroriste mbi institucione nuk po e zbardhni sepse tërmeti politik do të binte mbi subjektin e juaj. Kushti i dytë është zbardhja e rastit të vetëvrasjes së Arbnorit. Cilat ishin motivet që e shtynë në vetëvrasje. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit s’është nuk e ka marr guximin askushh dikush publikusht, por tash është sekret publik që përfliten emra zyrtarësh me të cilët ai ka qenë i involvuar në rolin e sinjalizuesit”, tha Berisha,.
E ashpër ishte përgjigja e ministres Haxhiu, e cila i tha Hysenit se Dehari është vrarë kur PDK ishte në pushtet.
“Marre te koftë, ta kisha ndalu me ligj me folë për rastin Dehari. Ju keni qenë në qeveri kur është vrarë Astrit Dehari. As edhe një fjalë për Astrit Deharin. Ju i keni duart e lyme me gjak. Duhesh me pasë pak ftyrë. Mbylle gojën”, tha Haxhiu.