Kohët e fundit, ka ngritje të çmimeve të artikujve ushqimorë bazikë, qoftë nga ato të prodhuesve vendorë, por edhe nga ato që importohen. Ekonomistët vlerësojnë se qeveria duhet të reflektojë karshi kësaj situate.
Rritja dyshifrore e inflacionit që ka varfëruar shportën e konsumatorit po thuajse e ka karakterizuar Kosovën gjatë vitit paraprak, por edhe këtë vit. Qytetarët thonë se kjo rritje e çmimeve të produkteve bazike ushqimore, është jonormale.
“Shumë shtrenjtë gjithçka prej produkteve. Kjo është jo normale, për xhepat tanë të varfër”, tha një qytetar.
Kryetari i Shoqatës “Konsumatorit”, Selatin Kaçaniku, thotë se qytetari konsumator, me këto veprime, është jashtëzakonisht i dëmtuar.
“Ky dëmtim na vjen përmes indinjatës, sepse qeveria nuk është duke e bërë gjënë e duhur. Këto dëme në këto rrethana janë shumë më të mëdha, sepse pas kësaj qeveria po dëshmon se as të drejtat themeltare të njeriut nuk po përfillen. Qytetari konsumator nuk po përfillet më e ky duhet të jetë alarm”, deklaroi Kaçaniku.
Profesori i ekonomisë, Musa Limani, vlerëson se Kosova me inflacion po përballet që nga viti 2020.
“Që nga viti 2020, Kosova po përballet në mënyrë permanente me rritje të inflacionit, në veçanti të produkteve jetësore të shportës jetësore, të atyre artikujve që janë në listën e ekzistencës së popullatës”, deklaroi Limani.
Edhe njohësi i Ekonomisë, Safet Gërxhaliu, vlerëson se prioritetet politike, gjithmonë kanë lënë nën hije çështjet ekonomike.
“Është koha kur duhet të ketë diçka konkrete, e them për herë të parë se tash nuk duhet të pritet më nga qeveria të bëjë diçka më tepër, sepse tregtia spekulative po e bënë të vetën. Efektin më të madh që mund ta bëjë qytetari është që duhet qytetari konsumator të mos konsumojë në masë të panevojshme dhe në masë të tillë, tregtarët të ndryshojnë çmimet dhe të ketë çmime më të ulëta”, tha Gërxhaliu për RTK.
Ndryshe, sipas parashikimeve të fundit nga Banka Qendrore e Kosovës parashihet se norma mesatare e inflacionit për vitin 2023, pritet të bie në 6.2%, sa ka qenë nga 11.6% në vitin paraprak.