Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për francezen “Le Monde”, duke iu referuar 5 shteteve anëtare të BE-së – Spanjës, Qipros, Sllovakisë, Greqisë dhe Rumanisë – që ende s’e kanë njohur Kosovën, tha se “Punoj shumë që t’i bindi ata ta ndërrojnë mendjen. Janë pakicë, por kanë fuqi vetoje”.
Ai tha më tej se BE-ja është fati ynë, teksa shtoi se duke e inkuadruar Kosovën dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, “BE-ja mbron Evropën”.
“Presim që ta arrijmë këtë qëllim në 9 vjet, që është koha mesatare për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian”, deklaroi Kurti.
Tutje, kreu i ekzekutivit tha se në parim e mbështet planin evropian, i cili tha se ofron “njohje de fakto” mes 2 vendeve, “si ajo që ishte bërë mes 2 Gjermanive në vitin 1972”.
“E mbështes, në parim, planin aktual të mbështetur nga BE-ja, në veçanti nga Franca dhe Gjermania, i cili insiston në demokraci, integritet territorial, sovranitet, sundim të ligjit, vetëvendosje… Ai mundëson njohjen de fakto mes 2 vendeve, si ajo që ishte bërë mes 2 Gjermanive në vitin 1972”.
Sipas tij, edhe përkundër luftës kundër krimit të organizuar e korrupsionit, të rinjtë po ikin nga vendi.
“…Por vendi është dëshmitar i ikjes së mijëra të rinjve çdo vit… Disa ikin, të tjerët kthehen. 2 nga ministrat e mi janë kthyer nga jashtë. Dhe luftoj të kthej në institucionet e vendit të diplomuarit me njohuri të fituara në vendet Perëndimore. 1/3 e kosovarëve nuk jetojnë në vend; kontributi financiar i diasporës paraqet 20% të BPB-së. Është shumë”, deklaroi kryeministri Kurti, transmeton Klankosova.tv.
Kreu i ekzekutivit foli edhe për liberalizimin e vizave për kosovarët, për çka tha se kjo nuk rrezikon të theksojë “diasporën”. “Nuk besoj. Njerëzit që duan të ikin, veçse po ikin. Ajo që është e pandershme është se po duhet të paguajnë për këtë”, potencoi kryeministri Albin Kurti në këtë intervistë.