Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, për nder të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës këtë të premte qëndroi në Hagë, përcjell InLajmi.
Tahiri takoi ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-krye parlamentarin Kadri Veseli, të cilët gjenden në paraburgim.
Ai bëri të ditur se Thaçin e Veselin i ka gjetur shpirtërisht të përmbushur.
Postimi i plotë i tij:
Në seancën e sotshme solemne për përvjetorin e pavarësisë, në atë sallë ku para 15 vitesh u përmbush një aspiratë shekullore, arrita direkt nga Haga, aty ku sot qëndron i fortë, protagonisti i deklaratës së pavarësisë dhe epokës së ndritur të Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi. Ndonëse shënimi i 17 shkurtit, as nuk është i njëjtë, e as nuk është i plotë pa prezencën e tyre, Presidentin Thaçi dhe kryetarin Kadri Veseli, i gjeta shpirtërisht të përmbushur, që rruga dhe sakrifica e tyre për liri e pavarësi, sot është realitet i Kosovës tonë të lirë e të pavarur. Përgjithmonë mirënjohës për këta burra, që ia kanë dhënë Kosovës vitet më të mira të jetës dhe që për nderin e të vërtetën e rrugëtimit të saj drejt lirisë, po e vazhdojnë përpjekjen edhe sot. /InLajmi/