Publicisti Veton Surroi, i cili ka qenë pjesë e delegacionit kosovar në negociatat e Vjenës dhe në Rambuje, ka treguar për dallimet dhe ngjashmëritë mes negociatave të së kaluarës dhe së tashmes, lidhur me çështjen Kosovë – Serbi.
Surroi e komentoi deklaratën e Kurtit, i cili ditë më parë tha se ndërkombëtarët i kanë ofruar një marrëveshje “lëre ose merre”.
Ai ka thënë se e njëjta gjë ka ndodhur edhe në të kaluarën në Rambuje dhe në Vjenë.
Por, sipas tij, formati i tyre nuk ka pasur vazhdimësi të njëjtë edhe në negociatat e Brukselit.
“Kosova ka hyrë në proces negociator me parime të panegociueshme në Rambuje dhe ka hyrë në Vjenë, me ‘merre ose leje’, sepse kanë qenë parime të panegociueshme nga ana e QUINTIT. Ky është kontiniutet i një formati, për fat të keq nuk kanë ekzistuar këto parime në Bruksel, sepse po të kishin ekzistuar procesi do të ishte më serioz”, ka thënë ai.
Surroi theksoi se dizajni i marrëveshjes në të kaluarën është bërë në bazë të parimeve. Sipas tij, në Rambuje është respektuar karta e OSBE-së për mosndryshueshmërinë e kufijve.
“Dizajni i marrëveshjeve bëhet në bazë ta parimeve, në Rambuje ka qenë dizajni i parimeve është respektuar karta e OSBE-së për mosndrysehsumrinë e kufijve, por është thënë se duhet të mbërrihet një nivel adekuat i vetëqeverisjes së Kosovës dhe hapjes së një perspektive të zgjidhjes demokratike”, ka thënë ai.
Edhe në Vjenë, sipas tij, marrëveshja është dizajnuar ashtu që të mos ketë kthim prapa dhe të mos ketë shkëmbim territoresh, shkruan TV Dukagjini.
“Në Vjenë kemi pasur këto, vizatimin e asaj se si do të dukej marrëveshja, nuk ka kthim prapa, nuk ka shkëmbim territoresh, duhet të mbërrihet një nivel i pajtueshmërisë, i cili i përmbush nevojat e Kosovës”, ka thënë ai.