Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi e ka nisur “Javën e Pavarësisë” që nga e hëna me homazhe tek varri i atdhetarit Adem Demaçi, për të vazhduar ditë me radhë me aktivitete të tjera, përcjell InLajmi.
Në vigjile të përvjetorit të pavarësisë Krasniqi të martën vizitoi ish-të burgosurit politik të cilët edhe sot e kujtojnë tmerrin dhe vuajtjet që përjetuan aso kohe.
Krasniqi tha se guximi dhe veprimtaria e tyre prej së vërteti bëri që Kosova të jetë në prag të 15 vjetorit të pavarësisë.
Kryetari Krasniqi tha se ish-të burgosurit politik meritojnë kushte më të mira dhe mbështetje të vazhdueshme nga shteti i Kosovës.
Postimi i plotë i tij:

“Kam qenë vetëm 15 vjeç kur më kanë burgosur për herë të parë, pasi kisha bërë betimin si pjesë e grupit të organizuar të ilegalistëve të Ferizajt, “Shote Galica”. Nga ajo ditë, asnjëherë nuk më janë ndarë përndjekjet dhe sfidat”, – Salihe Salihu, ish e burgosur politike.
Rrëfime të ngjashme kanë me mijëra ish të burgosur politikë, shqiptarë të Kosovës, të cilët për dekada të tëra kanë vuajtur represionin e vazhdueshëm serb si pasojë e veprimtarisë së tyre për liri.
Në kuadër të Javës së Pavarësisë, bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm, Bajrush Xhemajli, takova Kryetarin e Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, Shefik Sadiku dhe ish të burgosur të tjerë politik, veprimtarë të shquar, Hydajet Hyseni, Meriman Braha, Selatin Novosella, Ilmi Ramadani, Xhevat Bislimi, Lumnie Azemi-Morina, Salihe Salihu, Berat Luzha, Zymer Neziri e Xhemajl Pllana, të cilëve u shpreha mirënjohjen e thellë për kontributin e madh dhe sakrificën në rrugën e çlirimit.
Falë edhe guximit dhe veprimtarisë së tyre, sot jemi në prag të festimit të 15 vjetorit të pavarësisë së shtetit tonë, në të cilin kemi nevojë më shumë se kurrë të besojmë, mos ta braktisim dhe të punojmë çdo ditë për të.
Kjo Shoqatë, e cila ka mijëra anëtarë ish të burgosur politik, meriton kushte më të mira dhe mbështetje të vazhdueshme dhe të garantuar nga shteti.
Vetëm duke ndërtuar një shtet të fuqishëm dhe prosperues, do të jetësojmë edhe idealin shumëvjeçar të atyre që sakrifikuan gjithçka për Kosovën./InLajmi/