Produktet me origjinë nga Serbia vazhdojnë të zënë një hapësirë të madhe në shportën e konsumatorëve në Kosovë, edhe pse kohëve të fundit janë bërë më të shpeshta thirrjet për bojkotimin e tyre.
Gjatë vitit 2022, Kosova importoi nga Serbia produkte në vlerë prej 371.600.000 eurosh, ndërsa eksportoi atje gjashtë herë më pak, përkatësisht 60.700.000 euro produkte.
Në rrjetin social Facebook ka kohë që është formuar një grup me emrin “Mos bli prodhime serbe”, i cili numëron mbi 110.000 anëtarë.
Kjo thirrje duket se ka ndikuar te disa qytetarë që ta verifikojnë vendin e origjinës së produktit para se ta blejnë atë.
“Po gjejmë produkte vendore, po ashtu ka produkte nga shtetet e tjera. Nuk kemi nevojë t’i marrim të Serbisë”, thotë Hasime Maliqi, banore në Prishtinë.
Ajo tregon se në shtëpinë e saj nuk ka asnjë produkt të Serbisë – nisur nga pijet freskuese deri te mëlmesat.
“Si ta shoh flamurin në raft, nëse është i Serbisë, nuk afrohem as ta këqyr”, thotë ajo.
Bashkëqytetarja e saj, Valbona Olluri, thotë se ka vepruar ngjashëm.
“Ne nuk i blejmë këto [produkte] të Serbisë. S’e përdorim më vajin e Serbisë. Po e blejmë të Kosovës apo të ndonjë shteti tjetër. Edhe produktet e tjera në kuzhinë… vetëm vendore ose të ndonjë shteti tjetër”, thotë Olluri.
Endrit Binakaj, përkrahës i fushatës online “Mos bli prodhime serbe”, thotë se, prej vitesh, nuk blen produkte me origjinë nga Serbia. Qëllimi kryesor i tij thotë se është t’i mbështesë prodhuesit vendorë.
“E kam parë edhe në rrethin tim që është një ngritje e vetëdijes për t’i bojkotuar produktet me origjinë nga Serbia. Kjo po vërehet nga secili prej nesh që frekuentojmë dyqanet, sepse produktet serbe po shiten me zbritje të mëdha, pasi ato kanë mbetur në rafte të dyqaneve dhe nuk i blen askush”, thotë Binakaj
Në Kosovë ka pasur shpesh thirrje për bojkotimin e produkteve serbe, përfshirë edhe nga partitë opozitare, ndërsa e fundit “Mos bli prodhime serbe” është aktualizuar në fillim të muajit dhjetor, pak kohë para festave të fundvitit, kur zakonisht ka rritje të ndjeshme të sasisë së produkteve që blejnë qytetarët.
Por, përkundër saj, të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se vlera e importit nga Serbia ka qenë më e madhe në muajin janar të këtij viti sesa në janar të vitit 2022, shkruan REL.
Se cili ka qenë ndikimi i fushatës “Mos bli prodhime serbe” më vonë, mbetet të shihet, por, sipas njërit prej mbështetësve kryesorë të saj, Burim Piraj, njëherësh pronar i fabrikës së mishit “Meka” në Prizren, qytetarët, në masë të madhe, janë duke refuzuar blerjen e prodhimeve nga Serbia.