Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla, ka kujtuar 16-vjetorin e vrasjes së 2 aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje Mon Balaj dhe Arben Xheladini në protestën kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Mati Ahtisaarit, përcjell InLajmi.
Sveçla thotë se drejtësia nuk ka ndodhur akoma por krimi nuk vjetërohet kurrë.
Tutje, ai thekson se Mon Balaj e Arben Xheladini janë udhërrëfyesit e përhershëm në rrugën e përbashkët të idealeve tona. Ata janë udhërrëfyesit e angazhimit tonë të përditshëm e të pandalshëm për vendin tonë.
Postimi i plotë i tij:
Në ditën e shtunë të 10 shkurtit të vitit 2007, u tubuam paqësisht e masivisht në Sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë për të shprehur kundërshtimin tonë ndaj padrejtësive që po i vinin Kosovës nga pakoja e Ahtisaarit.

Protestës i printe e masës ju drejtua atë ditë edhe veprimtari i pashoq i çështjes kombëtare shqiptare Adem Demaçi, ndërsa përreth tij ishin mijëra qytetarë e aktivistë, djem e vajza të ndershëm, të guximshëm e me vetëdije të lartë mbi rrezikun që i kanosej vendit tonë nga decentralizimi etnik.
232 plumba gome me afat të skaduar u shkrepën drejt nesh, drejt djemve e vajzave, burrave, grave e të moshuarve. Nga ata plumba u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini, mbetën të plagosur rëndë Hysni Hyseni, Zenel Zeneli e Mustafë Nerjova si dhe mbi 80 protestues të tjerë pësuan lëndime.
Drejtësia nuk ka ndodhur akoma por krimi nuk vjetërohet kurrë.
Mon Balaj e Arben Xheladini ranë dëshmorë për liri e vetëvendosje. Ata janë udhërrëfyesit e përhershëm në rrugën e përbashkët të idealeve tona. Ata janë udhërrëfyesit e angazhimit tonë të përditshëm e të pandalshëm për vendin tonë.
Lavdi Monit e Arbenit!
Lavdi dëshmorëve të rënë për liri e vetëvendosje!. /InLajmi/