Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se në bisedimet në Bruksel do t’i vazhdojë vetëm pasi të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Vuçiq ka komentuar njoftimin e Jozep Borrellit se do ta ftojë atë dhe Kurtin në Bruksel për të shtyrë siç tha ai planin evropian për Kosovën.
“Asnjëherë nuk jam shmangur bisedimeve për asgjë, apo ndonjë çështje, së pari Asociacioni i komunave serbe. Nëse mendoni të më ftoni në Bruksel, për të më bindur të them Asociacioni i komunave serbe njëkohësisht me nuk e di se çfarë ose pasi nuk e di çfarë, mos më thirrni. Më thirrni për turizëm dhe nuk jam i interesuar. Kam qenë në Bruksel 200 herë, nuk jam i interesuar të shkoj në turizëm. Kështu që nëse më thirrni, më njoftoni se e kanë dorëzuar Asociacionin e komunave serbe, kur ta dorëzojnë, do të vij të diskutojmë gjithçka tjetër”, tha Vuçiq.
I pyetur nga një gazetar që të komentojë faktin se Albin Kurti ka numëruar se janë 11 kryetarë komunash në Serbinë qendrore që nuk janë të kombësisë serbe dhe se Serbia nuk u jep atyre asociacione kombëtare, Vuçiq tha se kjo është “marrëzi dhe pafytyrësi”.
“Marrëzi dhe vrazhdësi, por nuk do të flas më për këtë. Ai do të donte të barazonte statusin juridiko-politik shtetëror të Republikës së Serbisë me atë që ai e quan Republika e Kosovës. Nuk është njësoj, nuk ke çfarë të flasësh ti për Serbinë qendrore, ne kemi një temë për të folur dhe kjo është e vetmja temë në tryezë”, tha Vuçiq.
Lidhur me deklaratën e kryetarit të kuvendit Kosovës, Glauk Konjufca, se formimi i Asociacionit të komunave serbe është i pamundur, presidenti serb tha se Konjufca ka thënë vetëm atë që mendojnë të gjithë përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Prishtinë.
“E di që nuk planifikojnë ta formojnë Asociacionin. Dhe tani të shohim se çfarë do të bëjnë amerikanët, evropianët dhe të gjithë të tjerët”, theksoi presidenti.
Ai tha se nëse mendojnë të diskutojnë për diçka seriozisht, atëherë Asociacioni i Komunave Serbe duhet së pari të zbatohet në përputhje të plotë me katër marrëveshjet tashmë të nënshkruara dhe të pranuara në Bruksel.
Ndryshe, Kryeministri Kurti tha sot se Asociacioni nuk është as parakusht për propozimin evropian, i njohur edhe si plani franko-gjerman, e as në qendër të tij.
Më 6 shkurt, Kurti deklaroi se themelimi i Asociacionit nuk është prioriteti i tij, por javën e kaluar ai shpalosi gjashtë kushtet për formimin e tij.





















