Ani pse kanë kaluar më shumë se 3 javë, kjo komunë ende nuk është ndihmuar nga institucionet shtetërore.
Kryetari i kësaj komune, Zenun Elezaj, tha për Front Online se janë duke pritur që Qeveria t’u dalë në ndihmë.
“Komuna jonë është ende me pasoja dhe dëme shumë të mëdha, sapo e kemi përfunduar raportin për vlerësimin e dëmeve ku janë diku 3.8 milionë euro dëme. Raportin do ta thërrasim të hënën në seancë të kuvendit që ta aprovojnë pastaj do ta dërgojmë në Qeveri për të na dalë në ndihmë”, theksoi Elezaj.
Elezaj ka thënë se Komuna e cila udhëheq është duke shqyrtuar mundësinë për t’i dalë në ndihmë qytetarëve.
“Sa do të na ndihmojë Qeveria është në dorën e tyre, por dëmet janë shumë të mëdha dhe besoj që do të duhej t’i mbështesin shumë të dëmtuarit sepse kanë kaluar një situatë të rëndë dhe është duke vazhduar kjo situatë ende. Janë shumë familje me ndihmë sociale, jemi duke shqyrtuar mundësitë me i mbështet disa nga familjet me ju paguar qiratë deri sa të rikthehemi në gjendjen e mëparshme”, tha Elezaj.
Shirat e furishëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.
Gjatë viteve të kaluara vazhdimisht është raportuar për dëme në shtëpi, biznese, kultura bujqësore dhe rrugë.