Qeveria e Kosovës në mbledhjen e së mërkurës ka mbajtur një minutë heshtje në nderim të viktimave të tërmetit në Turqi dhe Siri, raporton InLajmi.
Në emrin e tij dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjeve, që humbën më të dashurit në këtë fatkeqësi, ndërsa të lënduarve u dëshiroi shërim sa më të shpejtë.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e ka shpallur ditën e mërkurë, 8 shkurtin 2023 Ditë Zie Shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmeteve të datës 6 shkurt 2023 me epiqendër në Turqi, të cilët lanë mijëra të vdekur e të lënduar.
Më shumë se 5.000 viktima janë konfirmuar të vdekur nga tërmeti në Turqi e Siri, ndërkaq mijëra të tjerë janë akoma nën rrënoja. /InLajmi/