Departamenti Special i Gjykatës së Apelit, më aprovimin e pjesshëm të ankesës së avokatit mbrojtës, por edhe sipas detyrës zyrtare, e ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatë Themelore në Prizren, të datës 03.07.2019, në rastin e të akuzuarit për krime lufte R.Sh.
Kështu, nga 14 vjet burgim sa ishte gjykuar, nga ana gjykatës së shkallës së parë, të akuzuarit i është zbutur dënimi në 10 vjet burgim.“Gjykata e Apelit gjeti se në veprimet e të akuzuarit manifestohen vetëm elementet e veprës penale ‘Krimet e luftës kundër popullsisë civile’ nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal Jugosllav, lidhur me nenin 3 (1.a) të Konventës së IV të Gjenevës, por jo edhe elementet e veprës penale nga nenit 152 par. 1 dhe 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas kolegjit të Apelit, vepra penale nuk mund të kualifikohet me dy ligje, pra edhe me ligjin penal të Jugosllavisë të vitit 1977 edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës në fuqi nga viti 2013. Në rastin konkret aplikohet Ligji Penal Jugosllav, në fuqi në kohën e kryerjes së vepër penale, si ligj më i favorshëm për të pandehurin, sepse dënimi maksimal që parashihej me këtë ligj ishte 15 vite burgim, apo në rrethanat më të rënda, 20 vite burgim”, thuhet në njoftim.
Arsyet që e ka shtyrë kolegjin e Apelit që të zbut dënimin thuhet se është fakti se i akuzuari është akuzuar dhe shpallur fajtor për marrjen peng të viktimës H.P, por jo për vrasjen e tij.
Në këtë drejtim gjykata e shkallës së parë ka mbivlerësuar rrethanat rënduese për të akuzuarin që kanë ndikuar në lartësinë e dënimit./InLajmi