Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mirëpriti 4 gazetarët afganë që kanë mbërritur mbrëmë në Kosovë e që do të qëndrojnë në Prishtinë në kuadër të programit “Journalists in Residence – Kosova”, financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përcjell InLajmi.
Nga zyra e Kryeministrit, njoftuan se Kurti u shpreh i kënaqur që po i takon ata sot në zyrën e tij. Ai tha se populli i Kosovës bashkëndjen me kauzën e tyre dhe të popullit afgan për demokraci, respektim të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe prosperitet. Amina, në emër të grupit të gazetarëve, tha se janë falënderues për mikpritjen në Kosovë dhe për mbështetjen e Qeverisë. Pas vështirësive të përjetuara në Afganistan, u shpreh se janë me fat që janë këtu dhe se tashmë po ndjehen si në shtëpi. Kryeministri dhe gazetarët biseduan për aktualitetin në Afganistan, pozitën e gazetarëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut atje, e veçanërisht të grave dhe vajzave nën regjimin taliban. /InLajmi/